Gazetarja ukrainase e përshkruan ditën e parë të luftës: S’mund të besoja, mendoja që ishte ëndërr

18 prill 2022 | 12:50

Gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, Lyudmila Makey, e ka përshkruar ditën e parë të luftës në Ukrainë.

Në një konferencë për media, ajo fillimisht tha se është ndjerë e impresionuar nga bukuria e Prishtinës, pavarësisht motit të ftohtë dhe të vranët. Ajo shtoi se njerëzit afër saj, ishin të ngrohtë, duke shtuar se ka kaluar kohë e gjatë pa e përjetuar këtë ndjenjë.

“Shumë mirë e kujtoj ditën e parë, 24 shkurtin dhe mund ta përshkruaj çdo minutë. Para disa kohësh isha në një filarmoni dhe kam dëgjuar muzikë dhe melodi shumë të mira, por të nesërmen jam zgjuar sepse ndjeva zhurmën e avionëve që fluturonin nga dritaret e banesave tona. Kisha lexuar dhe dëgjuar që Putini dhe Rusia do ta pushtoj Ukrainën, por deri në fund nuk e kemi besuar”.

Ajo tha se më e tmerrshmja ishte se vajza e saj ishte në Kiev, ku edhe kanë filluar bombardimet.

“Kur i hapa lajmet, e pash që bombardimet kanë filluar në Kiev, dhe më e tmerrshmja ishte që në Kiev ishte vajza ime. Mendova ta kontaktoj, por s’kishte qasje në rrjet. Pas disa orësh e kontaktova dhe ajo më tha se është mirë dhe se gjithçka ishte në rregull, por kishte bombardime gjithandej”.

“Nuk e dija si mund të ndihmoja sepse nga Kievi s’mund të dilje, ishte krejt e bllokuar. Unë kam pasur mundësi të kontaktoj me motrën time se jetonte afër qytetit dhe vendosa të shkoj tek ajo që të rrinim së bashku. Fillova pastaj të lexoja lajme, por s’mund të besoja, mendoja që ishte ëndërr. Por, jam gëzuar që dëgjova se të gjithë të afërmit e mi ishin gjallë”, tha ajo.

Makey më tej tha se ka lexuar dhe ka dëgjuar për Kosovën, por s’ka raportuar për të, pasi siç tha ajo, s’kishte kolegë kosovarë nga të cilët mund të merrte informacione të vërteta.

“Kam dëgjuar dhe lexuar përpara për Kosovën. Kam kuptuar që edhe njerëz të tjerë që e kanë përjetuar luftën e njëjtë, mund të na kuptojnë neve. Nuk kam pasur mundësi të shkruaj për Kosovën sepse nuk kam pasur kolegë nga Kosova që të marr informata të vërteta, por tash i kam”, shtoi ajo.

Lyudmila Makey është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, foli gjatë gjithë vikendit se…