Gazmend Syla reagon ndaj komunikatës se OVL UÇK-së

11 shtator 2019 | 14:09

Këshilltari politik i kryeministrit dhe drejtori i Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së (ZÇKL), Gazmend Syla, ka reaguar ndaj komunikatës se Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), përmes së cilës është kërkuar që ZÇKL të parandalojë dukurinë e lëshimit të certifikatave.

Syla ka sqaruar se duke u bazuar në ligj dhe rregullore, është mandat i Komisionit që të konstatojë Statusin e dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të UÇK-së.

Ai ka thënë se të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit të tyre janë ato të kategorive veteran-pjesëtar dhe veteran-pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që janë nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike.

“Përgjegjësitë e Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta janë të përcaktuara në nenin 17 të Ligjit nr. 04/L-054; dhe ajo nuk ka të drejtë të lëshojë certifikata apo vërtetime të cilat nuk janë në përputhje me klasifikimin e kryer nga Komisioni. Komisioni, pjesë e të cilit unë nuk kam qenë fare, nuk ka më mandat, që nga janari 2017, ndërkohë që tërë arkivi gjendet në Prokurorinë e Shtetit për interes të hetimeve. Të vetmet certifikata që janë shtypur gjatë mandatit tonë, janë ato të kategorive Veteran-Pjesëtar dhe Veteran-Pjesëmarrës, në bazë të listave emërore që i kemi nga Komisioni Qeveritar, si dhe certifikatat e humbura, dëmtuara apo ato me gabime teknike”, ka deklaruar Syla.

Ai ka treguar se gjatë mandatit të tij si drejtor i ZÇKL, ka qenë shumë korrekt dhe bashkëpunues me Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së, prandaj ka kërkuar nga ta, që të mos e përdorin situatën parazgjedhore, për të lëshuar komunikata me qëllime thjeshtë politike.

“Përkundër asaj që pretendohet, Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta e UÇK-së ka bashkëpunuar ngushtë me organet e rendit dhe të drejtësisë për parandalimin dhe zbulimin e keqpërdorimeve të mundshme të statusit të Veteranit, Invalidit e Dëshmorit të UÇK-së. Kjo mbase i ka penguar dikujt. Shpresojmë që jo Shoqatave”, është shprehur Syla.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…