Gemb Xërxa hap në Gjakovë ekspozitë retrospektive

26 qershor 2023 | 09:08

Shkruan: Blerim Valla

Piktori nga Gjakova, Gemb Xërxa, në ekspozitën e tetë me radhë, të hapur në Galerinë e Arteve në Gjakovë, ka arritur të shpalosë evoluimin e tij si piktor, por edhe të prezantoj para publikut mënyrën e re të punës së tij. Me një teknikë të kombinuar në pëlhurë, artisti me veprat e tij ka synuar harmoninë mes tokës dhe qiellit. Duke i shkrirë ato në një, përmes ngjyrave.

Pikturat e piktorit Gemb Xërxa janë përplot tension, janë një rrëmujë formash përplot ndjesi magjike. Figurat në punimet e tij krijojnë një simetri dhe një baraspeshë ndërmjet bukurisë dhe shpejtësisë (sikur te futuristët}. Aty ka lojë ngjyrash, formash por edhe harmoni estetike.

“Jam shumë i lumtur që jam i pranishëm në Galerinë e Arteve të Gjakovës, në hapjen e një ekspozite të punuar mjeshtërisht nga piktori i njohur Gemb Xërxa. Gembi është një artist i dëshmuar dhe i vlerësuar lartë nga profesionistët dhe të gjithë adhuruesit e artit në Gjakovë por edhe tërë Kosovën. Një ekspozitë si kjo, i shton edhe një vlerë kulturore më shumë komunës sonë. Prandaj, inkurajoj të gjithë artdashësit që të vinë të shohin nga afër pikturat e ekspozuara. Gembin e përgëzoj për këtë projekt dhe shumë suksese më tutje në rrugëtimin e tij në fushën e arti”, ka thënë në hapje të ekspozitës kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Ndërsa e para e kulturës në Gjakovë Adea Roka, ka potencuar se “e kemi mbështetur si komunë dhe si DKRS këtë ekspozitë, pasi kemi të bëjmë me një ekspozitë speciale nga një artist tashmë i afirmuar brenda dhe jashtë vendit tonë, siç është Gemb Xërxa”.

Në veçanti nga publiku i shumtë i pranishëm në këtë ekspozitë u pëlqye cikli “Tokë e qiell”. Duke folur rreth këtij cikli, Gemb Xërxa theksoi se kjo ekspozitë retrospektive si simbolikë ka të bërit bashkë tokën e qiellin. “Tri masat e para që i mësova në këtë cikël janë: gjatësia, gjerësia dhe gjanësia, pastaj kuptova që ka pesë, shtatë apo më shumë masa. Në natyrë janë (toka, uji, ajri), (babai, nëna, fëmija), (agim, mesditë, muzg), (farë, fruta, lule), (mbjellje, rritje, korrje), etj. Këto janë fakte që natyra këmbëngul në tresh. Në ciklin ‘Tokë e qiell’ jam munduar të paraqes një lidhje të tretë (Harmoninë) e cila e vendos ekuilibrin, sepse Harmonia kudo përbëhet nga ekuilibri; si në univers po ashtu edhe në Tokë. Unë mundohem që shqisat fizike që gjenden në tokë dhe ato psikike në univers, ti harmonizoj”, u shpreh piktori Xërxa

Gembi ka diplomuar në Degën e Artit Figurativ në Fakultetin e Arteve në Prishtinë dhe deri tani i ka hapur 7 ekspozita personale në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe ka ekspozuar në 16 ekspozita kolektive në rajon dhe në Evropë. Kjo ekspozitë e tij retrospektiv është e 8 – ta me radhë. Gjithashtu Gembi gjatë kohës sa ka studiuar në Akademinë e Arteve në Prishtine nga profesoresha e tij Valbona Rexhepi ka marrë mirënjohje si student i dalluar i pikturës.

Piktori tashmë i afirmuar Xërxa deri tani është shpërblyer me shumë çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare dhe vendore. Vlen të përmendet se ai më 2006 ka marrë medaljen e argjend në ekspozitën “Salon Councours International Gembloux” në Belgjikë, si fitues i vendit të dytë për pikturë në mesin e shumë piktorëve nga Evropa, në kuadër të ekspozitës kolektive Evropiane. Aty kishte piktorë nga mbarë Evropa dhe afër 30 piktorë nga Kosova dhe Shqipëria.

Në fillimet e tij si artist pikturat e tij kishin pamje realiste, me vonë Xërxa kaloi ne abstraksion, ndërsa tani njihet me pikturat e tij futuriste. Kjo ekspozitë retrospektive e piktorit gjakovar është padyshim ekspozita më reprezentative e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Në veri nevojitet depërshkallëzimi i situatës, pastaj zgjedhjet e reja…