Gent Avdijaj, futbollisti i ri që premton shumë

18 nëntor 2020 | 11:24

Në mesin e shumë sportistëve që na bëjnë krenar me punën dhe talentin e tyre, s’ka dyshim se është edhe futbollisti i brezit rinor që premton shumë, Gent Avdijaj nga Peja. 16-vjeçari aktualisht luan si sulmues në kategorinë U17 në Besë e Pejës.

Ai në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, ka deklaruar se me futboll ka filluar të merret nga mosha 6-vjeçare dhe se vështirësia e tij më e madhe ishte se nuk dinte se ku t’i merrte hapat e parë për një karrierë të suksesshme.

“Me futboll kam filluar të merrem nga mosha 6-vjeçare. Mendoj që sfida dhe vështirësia e parë ishte se nuk e dija se në cilën shkollë të futbollit t’i filloja stërvitjet dhe t’i merrja hapat e parë për një karrierë të suksesshme. Por fatmirësisht, rrugëtimi im i mbarë ka filluar me KF Besën dhe si i tillë po vazhdon edhe sot e kësaj dite sepse gjithçka që kam dashur jam duke e arritur në këtë klub”, ka thënë Gent Avdijaj.

“Qysh herët në fëmijëri më ka pëlqyer futbolli. Nga mosha 4-vjeçare mund të them se vazhdimisht qëndroja para televizionit duke i përcjell me vëmendje të gjitha ndeshjet futbollistike dhe ëndërroja se një ditë edhe unë do të bëhesha një futbollist i famshëm sikur ata prapa ekranit televiziv”, ka shtuar futbollisti Avdijaj.

Ai, gjithashtu tregon se ëndrrën e tij ka filluar ta bëjë realitet nga mosha 6-vjeçare, sepse siç tha ai, synimet e dikurshme të fëmijërisë çdo ditë e më shumë po i bëhen realitet, falë dëshirës, vullnetit dhe dashurisë për futbollin.

“Kam pas fatin e madh që themelet e futbollit t’i hapë në KF Besa dhe ndërtimin e karrierës time si futbollist ta bëjë në këtë klub, i cili për vite me radhë ka nxjerrë futbollist tejet të suksesshëm”, tha Avdijaj.

“Kam marrë pjesë ne shumë ndeshje dhe në shumicën prej tyre kam shënuar gola dhe kam bërë shumë asistime për shokët e skuadrës. Përgjatë këtyre viteve kam shënuar një numër të madh golash, shifrat e të cilave nuk po më kujtohen për momentin, por mund të them se në këtë drejtim qëndroj shumë mirë”, shtoi ai.

I pyetur se cili prej klubeve ka qenë kundërshtari i tij më i fortë dhe si e sheh perspektivën e një futbollisti në Kosovë, Avdijaj është përgjigjur se: “Çdo klub ka kapacitetin e tij dhe nuk mund të thuhet se njeri klub është me i dobët ose me i forte se tjetri, për arsye se gjithsecili lojtar e jep maksimumin e tij për të arritur një fitore. Pa marrë parasysh se në cilin vend ndodhesh, njeriu duhet të punojë shumë dhe të ketë dashuri për punën qe bënë, ta japë maksimumin nga vetja dhe padyshim që do të ketë  sukses në çdo vend, pse jo edhe në Kosovë ”.

“Gjithçka që kam arritur deri më sot mirënjohës i jam familjes sime – në veçanti gjyshit, Dervish Avdijaj, të cilin e përshëndes shumë. Gjithashtu, dua ta falënderoj dajën Dritro Krasniqin edhe tezen time Laodiken të cilët ndodhen në Amerikë dhe më ndihmojnë për çdo gjë që më nevojitet. Me këtë rast dua ta falënderoj edhe shokun tim Valdrin Krasniqi i cili është personi që kur isha fëmijë më këshillonte që të merrem me futboll dhe që nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, vazhdon të më qëndroj pranë duke më ndihmuar dhe këshilluar për çdo gjë”, tha futbollisti Gent Avdijaj.

Avdijaj, gjithashtu bëri të ditur se që kur është bërë i njohur për angazhimin e tij në futboll, vazhdimisht merr lëvdata dhe komente të ndryshme nga bashkëmoshatarët dhe rrethi i tij i ngushtë.

“Komentet që i marr nga bashkëmoshatarët e mi janë të shumta dhe gjithsecili prej tyre mund të them se më japin kurajo për të vazhduar përpara dhe mos të ngopem kurrë nga suksesi aktual”, ka thënë Avdijaj, i cili shton se viti më i suksesshëm në karrierën e tij është viti 2019 ku ka fituar 2 kupa me ekipin e Besës dhe 1 me Reprezentacion në Mal të Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…