Gërvalla: Kosova do të duhej të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës shumë vite më parë

21 korrik 2023 | 13:01

Sot është mbajtur mbledhja e parë e Grupit Koordinues për Anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, në të cilën morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Kjo e fundit vuri në theks se etapa e parë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka qenë shumë e rëndësishme dhe nuk do të bëhej pa bashkëpunim të katër institucioneve për ta kaluar fazën e parë të mbushur plot sfida.

“Si vendi më demokratik në rajon, si një vend i cili është shembull në përfaqësimin e vlerave të cilat janë baza mbi të cilën është krijuar Këshilli i Evropës, mendojmë që Kosova dje do të duhej të ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës, madje shumë vite më parë”, ka pohuar ministrja Gërvalla, duke shtuar se sa më shumë që punojmë së bashku, aq më shpejtë do të arrijmë të festojmë anëtarësimin e plotë.

Grupi Koordinues do të ketë një rol tejet të rëndësishëm në rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të brendshëm, si dhe në ofrimin një pasqyre sa më të saktë dhe koherente të situatës në Kosovë lidhur me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Në këtë mbledhje të parë të pranishëm ishin përfaqësues politikë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë e institucionalë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rreth 17 orësh me debate dhe tensione, Kuvendi i…