Gërxhaliu: Është koha e fundit për agjendë konkrete ekonomike

25 janar 2018 | 20:06

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ka ardhur koha të avancohet bashkëpunimi rajonal, por jo vetëm në kontekstin politik, por edhe në atë ekonomik. Gërxhaliu ka thënë se ka ardhur koha për ta mbështetur sektorin privat, sidomos sektorët ku ka më shumë potencial zhvillimi.

“Është e vërtetë se Ballkani është më tepër i orientuar të ketë një agjendë politike dhe sa më tepër gjenerojmë agjendë politike, druhem se jemi duke prodhuar dhe duke tentuar ta zbukurojmë të kaluarën. Dhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetojnë nga e kaluara. Është koha kur duhet të mos harrohet e kaluara, por duhet të jemi të orientuar drejt ardhmërisë dhe besoj kjo formë e avancimit të dialogut ndërrajonal ka rëndësi multidimensionale. E para, është e pakontestuar rëndësia ekonomike. E dyta, është një promovim i vlerave të dialogut të Ballkanit Perëndimor. Dhe, e treta, është një mesazh i qartë që si komuniteti i biznesit dhe qytetarët nuk mendojmë se integrimi evropian do të jetë i mundur vetëm nga dimensioni politik. Duhet bashkëpunim ekonomik, sepse ky është një model që ka dhënë efekte në Evropën e bashkuar. Është koha që forume të tilla duhet të ketë sa më shpesh dhe konkluzione me mekanizma matës të efekteve të tilla. Dua të besoj se një forum i tillë do të jetë në funksion të promovimit të qartë të një mesazhi: Jemi Ballkan Perëndimor, por jemi pjesë e Evropës në të ardhmen”, ka thënë Gërxhaliu gjatë punimeve të “Tirana Economic Forum” të organizuar nga “SCAN Media Group”.

Ai ka thënë se nga dimensioni kohor, një forum i tillë është një vulë për parapërgatitjen e konferencës së Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim që do të mbahet në muajin shkurt në Londër.

“Dua të besoj se në këtë drejtim duhet të jemi më konkret, më pragmatik dhe të flasim me gjuhën e argumenteve. Dhe argumentet ekonomike janë projekte konkrete; eliminimi i barrierave, avancimi i bashkëpunimit dhe në fund të fundit duhet të kuptojmë se imazhi i Ballkanit Perëndimor është ai që e dëmton Ballkanin Perëndimor dhe besoj se takime të tilla janë në këtë frymë pozitive”, ka thënë ai.

Në këtë kontekst, Gërxhaliu ka thënë se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet ta shohin njëra-tjetrën si konkurrente. “Është obligim moral që institucionet tona të zhvishen nga petku i patriotizmit folklorik, të bisedohet me gjuhën e interesit dhe kalkulimeve dhe në këtë kuptim Shqipëria dhe Kosova nuk duhet të shihen si konkurrente, po si komplementare. Ajo që dua të apeloj është që të gjenden rrugë që të avancohet dialogu dhe të kthehet besimi i humbur në marrëdhëniet Prishtinë – Tiranë dhe anasjelltas. Është mirë që miliona dhe miliarda euro investohen në infrastrukturë, por nëse nuk do të kemi kthim të besimit, partneritet në bashkëpunimin ekonomik, mendoj se jemi duke e dëmtuar klimën e bashkëpunimit edhe në të bërit biznes. Nuk jetohet me takime qeveritare. Është koha kur duhet të mbështetet sektori privat, duhet të mbështetet komuniteti i biznesit dhe në këtë drejtim kemi shumë fusha ku duhet dhe ka mundësi të bashkëpunojmë”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të enjten kompaninë…