Gërxhaliu: Ndërtimi i “Kosovës së Re” do të ketë efekte pozitive

05 janar 2018 | 10:59

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” është vendim i duhur, megjithëse i vonuar.

Ai në një prononcim për “Ekonomia Online”, ka theksuar se në mënyrë që ky projekt ta ketë efektin pozitiv të dëshiruar duhet të bazohet në transparencë dhe në dialog të mirëfilltë publik-privat.

Më tutje, ai ka thënë se pret vështirësi në implementim dhe sulme nga të ashtuquajturit “patriotë mjedisorë”, pasi sipas tij preken interesa rajonale.

“Besoj që projekti është i mirëseardhur, por është paksa i vonuar. Në këtë drejtim dua të besoj që kontratat janë të përfunduara. Dua të besoj që institucionet vendore duhet të jenë më agresive për të promovuar këtë projekt sepse edhe më tutje ekziston dyshimi a është nënshkruar apo nuk është nënshkruar, çka është nënshkruar dhe si është nënshkruar. Prandaj, në qoftë se mendohet qe ky projekt ta ketë efektin pozitiv të dëshiruar duhet të bazohet në transparencë, në dialog të mirëfilltë publik-privat”, ka thënë Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka thënë se krahas prodhimit të mjaftueshëm të energjisë, “Kosova e Re” do të hapë edhe vende të reja të punës.

“Vetë fakti që në një periudhë kohore, posa të kryhen procedurat e tenderimit, do të ketë mundësi të punësimit në forma të ndryshme, thuhet afër 10 mijë veta. Ne kemi apeluar që të shfrytëzohen sa më tepër resurse kosovare që të jenë pjesë e ndërtimit, dhe vetë fakti që po forcohet partneriteti me një kompani amerikane me mjaft reputacion, janë ato që e karakterizojnë këtë projekt. Por mbi të gjitha duhet të kuptohet që do të ketë sfida në implementim”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot e ka ditëlindjen Jonuz Musliu! Ky shqiptar i madh,…