“Gjarpijt e gjakut” dhe injorimi i Demaçit

20 nëntor 2018 | 21:36

Haki MORINA

Libri “Gjarpijt e gjakut” më ra në dorë në pranverën e vitit 1981. Ndjeva emocione të papërshkrueshme, parasëgjithash për shkakun se ishte roman i ndaluar, i një shkrimtari të dënuar politikisht.

Interesimi për këtë libër ishte i jashtëzakonshëm tek rinia e atëhershme revolucionare. Jo gjithkush mund ta siguronte këtë libër, prandaj e shpërndava për lexim.

Pak muaj më vonë, në njërën nga dhjetëra e qindra seancat hetuese në UDB, përballova tortura për shkak të këtij libri.

Në shumicën e rasteve, pyetjet e hetuesve të UDB-së ishin të shumëllojshme, por atë natë, me orë të tëra, u përqendruan vetëm tek ky libër.

Ata kërkonin me çdo kusht të tregoja ku e kam marrë, dhe si e kam shpërndarë këtë libër.

Atë natë drejtimin e hetimeve e kishin vetëm inspektorët shqiptarë të UDB-së jugosllave.

Pas torturave të padurueshme, provova një taktikë, duke bëritur: oh, po bre e kam lexuar librin!

Njëri nga ata, duke qenë kuadër i dobët (e kishin marrë thjeshtë për demonstrim të torturave) ma ktheu me zë: pse po rrenë?!

-S’pata rrugëdalje tjetër pa rrejtë, sepse ju desh më mbytët – ia ktheva.

Pas kësaj, ata menduan që s’e kam lexuar, dhe pushuan torturat për atë natë.

Dhe sot, kur shoh njerëz e forca politike duke e injoruar veprën e madhe të Adem Demaçit, më kujtohet ajo natë dhe më zë trishtimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me ministrin e Tregtisë…