GJENOCIDI I PLANIFIKUAR NË SREBRENICË, MË 11 KORRIK 1995

11 korrik 2021 | 13:34
Nga Sheradin Berisha
26 vjet më parë!
Si sot, 26 vjet më parë, (më 11 korrik 1995) në Srebrenicë të Bosnjës u ekzekutuan barbarisht mbi 8372 civilë boshnjak (myslimanë) të paarmatosur.
Ky gjenocid bëhet akoma më i tmerrshëm kur kemi parasysh prezencën e trupave ndërkombëtare të UNPROFOR-it në këtë rajon ku u krye krimi!
Në Serbrenicë me rrethinë ishin të stacionuar trupat holandezë të UNPROFOR-it, dhe kishin për detyrë të mbronin këtë enklavë myslimane. Por, serbët nuk u trazuan fare nga prania e misionit paqeruajtës të helmetkaltërve. Ata morën Srebrenicën me forcën e armëve, ndërkohë që 450 ushtarët holandezë, nuk kanë vepruar fare për ta parandaluar më të keqen. Ata vetëm e kanë vështruar këtë situatë të rëndë!
Në mbledhjen e 11/12 korrikut 1995, në hotelin Fontana në Bratunac, gjenerali serb Ratko Mladiçi u kërcënohet përfaqesuesve civilë të Srebrenicës: “Myslimanët mund të zgjedhin ndërmjet mbijetesës dhe zhdukjes, e kuptoni, fati i popullit tuaj është në duart tuaja dhe jo vetëm në këtë territor”. Ai kërkon dorëzimin e forcave boshnjake që kanë ikur përtej kodrave për t’iu shmangur fatit që ua kishte gatuar. Bashkëbiseduesin e tij, Nesib Mandziçin, e kishin transportuar helmetkaltrit holandezë, kurse tetë mijë burra e djem nga enklava u vranë.
Grave, fëmijëve dhe pleqve u lejua të mbijetonin me kusht që të mos rezistonin gjatë dëbimit. Disa megjithatë do të vriten. (Florence Hartmann – Paqja dhe ndëshkimi, Koha, mars 2001, fq.126)
Henri van de Belt një ushtar i kontigjentit holandezë, (ish’pjesëtar i njësisë “Dutchbat”), nuk i ka parë skenat e vrasjes e të masakrave me sytë e tij, por sot (pas kaq vjetësh) atë e mundon shumë Serbrenica. “Unë kam parë deportimet e njerëzve, spastrimet etnike. Ajo që më rëndon më së shumti, është mungesa e forcës për të ndërmarrë diçka. Por, kur të janë lidhur duart nga të gjitha rregullat e mundshme dhe lejohesh vetëm të vështrosh dhe të njoftosh se çfarë ndodh… kjo gjendje është përvoja më e keqe, që kam pasur ndonjëherë”, – thotë ai, në një shënim të vitit 2009. “
Të luftuarit nuk ishte asnjëherë alternativë. Ushtarët kishin qenë të dobësuar. Nuk kishte ushqime, kishin pak karburant dhe batalioni ishte pakësuar. Dhe, ata nuk kishin mandat për të luftuar”, – tregon më tej Henri van de Belt. “Kampi ynë ishte i stërmbushur me refugjatë. Sikur të ishte marrë vendimi për të luftuar, atëherë për serbët do të kishte qenë e lehtë të na vrisnin të gjithë. Atëherë do të kishte pasur më shumë viktima, shumë më tepër, se sa janë vrarë”, – thotë më tej ai.
“Pasi morën qytetin, serbët nën udhëheqjen e Ratko Mladiçit i ndanë myslimanët boshnjakë. Gratë, fëmijët dhe pleqtë në njërën anë, burrat dhe djemtë në anën tjetër. Gratë i larguan me autobusë të shoqëruar nga ushtarët helmetkaltër holandezë. Por këta”, thotë ish-ushtari i helmetave blu Johan de Jonge, “ishin të pafuqishëm”.
“Ne nuk kishim armë më. Megjithatë, ne jemi përpjekur t´i mbronim atje njerëzit, si të mundnim. Por, në gjysmën e rrugës djemtë tanë i nxorën nga autobusët, ata duhet të ktheheshin në këmbë në kamp. Në anën e majtë dhe të djathtë të rrugës u nxorën gratë më të bukura, nga mosha 14 deri 30 vjeçare. Ata i morën pastaj në pyll dhe pjesën tjetër mund ta marrësh me mend…”, – shprehet Johan de Jonge.
Johan de Jonge ka qenë atëherë vetëm 20 vjeç. Srebrenica ishte për ushtarin profesionist, angazhimi i parë jashtë shteti. Ashtu si shokët e tij, ai nuk ishte i përgatitur për atë që do t´i priste në Ballkan: brutaliteti i serbëve dhe vrasja e tyre me plan. 8 000 djem dhe burra myslimanë u bënë pre e serbëve në ditët e para të korrikut të vitit 1995.
Disa u përpoqën të iknin në pyje dhe u vranë nga minat. Por, shumica e tyre u ekzekutuan dhe u futën pastaj në varreza masive. Vrasja ishte e planifikuar mirë. Për të humbur gjurmët, kufomave në muajt më pas iu ndërrua vendi disa herë. Përreth Srebrenicës, vitet e fundit janë gjetur më shumë se 20 varreza masive.
JORIS VOORHOEVE: “SIKUR OKB TË JEPTE MBËSHTETJE, MASAKRA E SREBRENICËS MUND TË PARANDALOHEJ”
– Ish-ministri holandez i Mbrojtjes, Joris Voorhoeve në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency – AA’së tha se shkaku i mos dhënies së mbështetjes së nevojshme ndaj ushtarëve holandezë që ishin me detyrë në varësi të OKB, në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjes ishte një marrëveshje e fshehtë mes vendeve të koalicionit.
Voorhoeve i cili ka shqyrtuar detajet në librin e sapo dalë në treg “Zonat e Sigurta”, ato çka kanë ndodhur në Srebrenicë ai ka njoftuar se marrëveshja e fshehtë në fjalë ishte kryer mes Francës, ShBA-së dhe Britanisë.
Voorhoeve duke theksuar se marrëveshjen e ka rastisur gjatë shqyrtimeve në dokumentet e njoftuara publikisht nga SHBA dy vite më parë në lidhje me luftën e Bosnjes ai ka thënë: “Një grup ushtarësh francezë dhe britanikë ishin marrë peng nga gjenerali serb i asaj kohe Ratko Mlladiç. Presidenti francez i asaj kohe Jacques Chirac, Kryeministri britanik John Major dhe presidenti amerikan, Bill Clinton, për shkak të frikës se mund ti bëhej ndonjë gjë ushtarëve të marrë peng më 28 maj 1995 marrin vendim për tu mos dhënë mbështetje ajrore. Kërkesa e marrëveshjes vjen nga francezët dhe britanikët, ndërsa SHBA e miraton. Pra mbështetja e sulmeve nga ajri nuk u dha për shkak të marrëveshjes së fshehtë të arritur mes Francës, Britanisë dhe SHBA”. “Unë gjithmonë e kam parashikuar se ka pasur një arsye”.
Ish-ministri Voorhoeve, ka tërhequr vëmendjen se në vitin 1994 ishte vendosur që nëse OKB do të kërkonte mbështetje ajrore brenda dy orësh kjo do të zbatohej. Voorhoeve shton më tej duke thënë: “Por trupat ushtarakë holandeze edhe pse kërkuan 9 herë mbështetje ajrore gjatë ngjarjeve të Srebrenicës kjo nuk u zbatua. Unë gjithmonë e kam ndier vazhdimisht se diçka nuk shkonte në rregull në lidhje me këtë, por nuk kisha ndonjë dokumet në dorë. Tani e kam në dorë atë dokument”.
Ish-ministri hollandez i mbrojtjes ka theksuar se po të ishte dhënë mbështeje ajrore ushtarëve hollandezë ndoshta nuk do të mund të ndodhte masakra e Srebrenicës në këto përmasa:
“Nëse OKB do të jepte ndihmë nga ajri mund të parandalohej gjenocidi i Srebrenicës ose mund të reduktohej numri i viktimave, rezultati nuk do të ishte kaq i rëndë. Po të jepej ndihmë Ratko Mladiç do ndryshonte planet. Pas Srebrenicës këtë e vërejtëm në qytetin Gorajde, ku me mbështetjen nga ajri masakra atje u parandalua” – thotë ai.
Voorhoeve thekson se qeveria holandeze e asaj periudhe duke përfshirë edhe veten e tij nuk kanë patur dijeni për marrëveshjen në fjalë, sepse nëse do të kishin dijeni reagimet do të ishin më ndryshe. “Po të ishim njoftuar do të rikujtonim premtimet e OKB dhe do të përpiqeshim për të zbatuar këtë” – shton ai në fjalën e tij.
Joris Voorhoeve, ka vënë në dukje se kur ka parë për herë të parë marrëveshjen e arritur mes tri vendeve ka përjetuar një habi të madhe.
“Fatkeqësisht nuk mund t’i sjellim mbrapa afërsisht 8 mijë njerëzit e vrarë. Nuk mund t’i harroj gjatë gjithë jetës sime këto njerëz. Humbën jetën për shkak të disa gabimeve në atë periudhë. Edhe gjatë luftës edhe gjatë shkrimit të librit tim kam vajtur në rajon. Është e pa-mundur të shpjegosh situatën e viktimave. Kanë përjetuar një dhimbje të madhe. E ndiej thellësisht këtë” shprehet Joris Voorhoeve.
Burimet:
Air power ‘could have averted Srebrenica’
***
‘Srebrenica massacre could have been prevented’!
***
Srebrenica massacre: former Dutch minister Joris Voorhoeve accuses the West
SKORPIONËT ESKADRONI I VDEKJES!
Njësitë Skorpionët eskadroni i vdekjes, të cilin e ka krijuar Shërbimi i Sigurimit Shtetëror i Serbisë dhe ishin pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të zbarkuar përreth Srebrenicës gjatë kohës së masakrës, i vrasin një nga një 6 mysliman të rinj nga ajo enklavë: Juso Deliç (16 vjeç) Azmir Alispahiç (17 vjeç), Safet Fejziç (17 vjec), Dino Salihoviç (20 vjeç), Smail Ibrahimoviç (35 vjeç) dhe Sadik Salkiç (36 vjeç) (Florence Hartmann – Paqja dhe ndëshkimi, Koha, mars 2001, fq.129).
Një nga krimet e shumta serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (Video)
Në Serbi u gjykuan 5 pjesëtarë të njësisë speciale Shkorpioni. Akgjykimi u shpall më 10 prill 2007, dhe u denuan për vrasje me denime prej 20, 30 dhe 5 vjet. Në aktgjykim thuhet se nuk është dëshmuar se viktimat e tyre janë nga Srebrenica. Pra, nuk u hap çështja e pjesëmarrjes së të akuzuarve në gjenocid, kurse familjet e viktimave kishin ardhur në Beograd që të dëshmojnë për rrethanat në të cilat djelmoshat janë zënë rob pas rënies së Srebrenicës. (Florence Hartmann, po aty fq.146 – 147)
RADOVAN KARAGJIQI: “MIROSLAV, TË GJITHË DUHET TË VRITEN”!
Më 8 mars 1995 Karagjiçi zyrtarisht i pranon intruksionet e ushtrisë së Mlladiçit dhe e nënshkruan Direktivën nr. 7: “Me operacione të planifikuara dhe të përgatitura mirë krijojeni situatën e padurueshme të pasigurisë së plotë, e cila nuk do t’ua lërë asnjë shpresë banorëve të Srebrenicës dhe të Zhepës (Zhepa) për mbijetesë”.
Miroslav Dornjiç, kryetari i Komunës së Bratuncit, fqinje me komunën e Srebrenicës, spastrimin etnik të të cilit e kishte organizuar me sukses më 1992, në gjykim (në Hagë – sh.b) dëfton për atë që i kishte thënë Karagjici më 9 korrik 1995: “Miroslav, të gjithë duhet të vriten (…) të gjithë ata që ju bien në duar”. (Florence Hartmann, po aty fq. 125 – 126).
Atë ditë kur Karagjici i jep këtë urdhër Miroslavit, “po dilte nga takimi me Jovica Stanishiqin, të cilin Millosheviçi ia kishte dërguar udhëheqjes serbe në Bosnjë. Një ditë më herët edhe ndihmësi i Stanishiçit, Franko Simatoviç (Shimatoviq), kishte qenë në Bosnjë, në Vlasenicë, në shtabin e përgjithshëm të forcave serbe që dy ditë më herët kishin nisur ofensivën kundër Srebrenicës.
Më 13 korrik, në vazhdën e masakrës, komandanti i ushtrisë jugosllave, Momçilo Perishiç, e nënshkruan urdhërin me të cilin i urdhëron 30 zyrtarët e vet që të nisen në Bosnjë. Më 15 korrik ata arritën në zonën e Srebrenicës dhe iu vunë në shërbim Mladiçit. (Florence Hartmann, po aty fq. 128)
Jovica Stanishiç, dora e djathtë e Slobodan Milosheviçit në ndërtimin e rrjetit të “njësive të vogla lëvizëse, të padukshme dhe vrastare” që kanë bërë kërdi nga Vukovari në Srebrenicë, e deri në Kosovë, u lëshua në liri (nga gjykata e Hagës – sh.b) për ta pritur procesin, duke iu falënderuar letrës së përkrahjes që ia ka shkruar CIA, bashkëpunëtor i së cilës kishte qenë në të kaluarën. Britanikët dhe një francez, dikur prefekt i krahinës Var në Francë, Jean – Charles Marchiani (Zhan Sharl Markiani), gjithashtu e lavdonin për shërbimet e tij të mira gjatë konfliktit. Duke vepruar në emër të Milosheviçit, Jovica Stanishiçi ka pasur rolin vendimtar për lirimin e “helmetkaltërve”, pengjeve serbe në pranverë të vitit 1995, e më 12 dhjetor 1995 (fq.187) në lirimin e dy pilotëve francezë (Frederic Chiffot dhe Jose Souvingnet – fq.187), aeroplani i të cilëve “Miragei” kishte rënë mbi Bosnjë (më 30 gusht 1995 – fq.187). Jean – Charles Marchiani, të cilin Jacques Chirac e kishte dërguar në mision negociatore me Jovica Stanishiçin. (Florence Hartmann, fq. 149)
CHRISTIANE AMANPOUR: GJENOCIDI NË SREBRENICË – NJË MOMENT PËRCAKTUES!
Gazetarja e CNN, Christiane Amanpour, në një shkrim autorial me titull: “The Srebrenica genocide: A defining moment” (Gjenocidi në Srebrenicë një moment përcaktues), shkruan: “Për mua, lufta dhe ajo çfarë kam parë në Bosnje ndryshuan gjithçka. E pashë anën më të mirë dhe më të keqe të njerëzimit. Ana më e keqe ishin serbët e Bosnjës, të armatosur dhe të mbështetur nga Milosheviqi, që vrisnin civilë, gra, fëmijë të vegjël, burra të moshuar. Le të mos harrojmë se kjo ishte një vrasje e paramenduar e civilëve, jo një luftë ndërmjet dy ushtrive.
Synimi i serbëve të Bosnjës ishte që të terrorizojë dhe të vrasë, të spastrojë etnikisht civilë prej territorit që ata dëshironin ta formësonin si një shtet etnikisht të pastër për vetvete. Ata madje ëndërronin t’i bashkoheshin një Serbie të madhe…. Objektiviteti nuk nënkupton se duhej trajtuar njësoj si viktima ashtu edhe agresori. Objektivitet nuk do të thotë veshja e një ekuivalence të rreme morale.
Mirëpo kjo ishte gjëja që qeveritë tona po përpiqeshin ta bënin. Këta zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa, të cilët nuk donin të intervenonin për të ndaluar këtë gjë, po thoshin se të gjitha palët ishin njësoj fajtore, edhe pse nuk ishin. Dhe masakra në Srebrenicë më në fund e dëshmoi një gjë të tillë, më në fund dëshmoi së qeveritë tona nuk mund të hidhnin më shikimin diku tjetër.”
Burimet: lexoni shkrimin në origjinal: The Srebrenica genocide: A defining moment By Christiane Amanpour, Anchor, CNN
***
1994 – Amanpour questions Bill Clinton
PËRGJEGJËSIA E FUQIVE TË MËDHA PËR GJENOCIDIN NË SREBRENICË!
Nga fundi i verës i vitit 1995 administrata amerikane e nisi një qarkore ‘me vija fundore’, në të cilën saktësisht thuhej se duhet përgjigjur shtypit në lidhje me Srebrenicën. Ashtu që zyrtarët amerikanë duhet të thonë se as ata, e as OKB’ja, nuk e kanë ditur se serbët kanë planifikuar ta pushtojnë enklavën dhe se nuk kanë pasur informata për avancimet e trupave të serbëve boshnjakë. Për parashikueshmërinë e masakrës zyrtarët armerikanë duhet të përgjigjen:
“Nuk kemi pasur kurrfarë informatash për çfardo qëllimi që të kryheshin mizori kundër mbrojtësve myslimanë apo kundër popullsisë së Srebrenicës. E dinim se këso vepra nuk ishin të pamundura marrë parasysh historinë e gjenocidit dhe të spastrimit etnik në Ballkan.” (Florence Hartmann – Paqja dhe ndëshkimi, Koha, mars 2001, fq. 100; Power Samantha, “A problem from Hell, America and the Age of Genocide, Perennial, New York, 2003 – faqe 240).
Në të vërtetë Parisi, Londra dhe Washingtoni kishin informata të hollësishme për situatën në Srebrenicë me rrethinë, por nuk i ndërmorën masat e nevojshme që të parandalohej gjenocidi, i cili hap pas hapi po përgatitej para syve të tyre. Që më 1993 përfaqësuesit më analitikë ndërkombëtarë tashmë e kishin quajtur shtrëngimin e shtetrrethimit të enklavës (Srebrenicën – sh.b) si “gjenocid të ngadalshëm” apo “gjenocid i shkallëzuar”, situatë e cila tashmë e kishte obliguar Këshillin e Sigurimit që, disa javë më vonë, ta vendoste Srebrenicën dhe popullatën e saj nën mbrojtje të OKB-së.
Gjatë gjithë ofensivës së fundit kundër Srebrenicës prej 6 deri më 11 korrik 1995 Fuqitë e Mëdha nuk ndaleshin së thëni se forcat serbe, pavarësisht avancimit, nuk e kishin mendjen ta okuponin enklavën. Duke u shtirur të befasuar, ato, pa e lëvizur asnjë gisht, e lejuan Mladiçin të hynte në qytet më 11 korrik 1995, nga fillimi i pasdites. Më pas lejuan që burrat t’i ndanin nga popullata tjetër, duke mos i imponuar kushtet e evakuimit të dhunshëm, duke mos u përpjekur as të bëjnë mbikëqyrjen. (Florence Hartmann, po aty fq.226)
“Më kishin udhëzuar në fillim që t’i sakrifikoja Srebrenicën, Zhepën dhe Gorazhden dhe e ndieja se ishte e gabuar”, kishte deklaruar diplomati amerikan Richard Holbrooke në nëntor 2005, gjatë 10 vjetorit të marrëveshjes së Daytonit. (Richard Holbrooke, intervistë te rrjeti televiziv Hajat nga Sarajeva, emetuar më 19 nëntor 2005)
Një vit më vonë Holbrooke i tërheq fjalët, por faktet mbesin: “Srebrenica dhe enklava e vogël fqinje Zhepa, gjithashtu e populluar me refugjatë boshnjakë nga valët e para të spastrimit etnik, kurse iu dhanë serbëve në negociatat për paqen në nëntor të vitit 1995, kur realiteti i krimit tashmë ishte dëshmuar.
“Në korrik 1995 derisa po ndodhte masakra në Srebrenicë me rrethinë, presidenti francezë Jacques Chirac, u përpoq t’i bindte partnerët e tij SHBA-në, Anglinë dhe Gjermaninë për të ndërhyrë ushtarakisht kundër forcave serbe, që të parandaloheshin masakrat, por në fund me insistimin e aleatëve dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan, u pajtua të mos vepronte dhe, për hir të paqes, me aleatët e saj i pranoi pasojat e gjenocidit në Srebrenicë.
Fuqitë e Mëdha lejuan që t’u imponohen kushtet e paqes dhe ua mundësuan atyre që i shprehën qëllimet e tyre gjenocidale që kështu t’ia dalin realizimit të planit të tyre. Fuqitë e Mëdha i shpërblyen në Dayton ata të cilët disa javë më parë sistematikisht dëbuan dhe mbytën popullatën myslimane të kësaj enklave, duke ua falë fushat e vdekjes, e më pas duke ua mundësuar që të vendosen aty sipas qejfit për ta ndërruar strukturën etnike përjetë. (Florence Hartmann, po aty fq.230)
Disa dëshmitarë ndërkombëtarë, sikur ishin Wesley Clark (Ueslli Klark), këshilltari ushtarak në ekipin negociator amerikan, gjenerali britanik, Rupert Smith, komandanti i “helmetkaltërve” në Bosnjë apo amerikani David Harland nga Departamenti i Ҫështjeve civile të OKB-së në Bosnjë, vërtetojnë se Milosheviçi ka qenë i informuar për qëllimin e liderit të sebëve të Bosnjës që të shkaktojë gjakderdhjen e madhje në Bosnjë.
Në një takim më 17 gusht 1995 në Beograd, Wesely Clark e kishte pyetur Milosheviçin, i cili posa po e bindte se ishte i autorizuar të negoconte për paqen në emër të serbëve të Bosnjës dhe të garantonte se marrëveshja eventuale do të respektohet: “Zoti kryetar (…) nëse keni gjithë këtë ndikim mbi serbët e Bosnjës (…) si u bë që e lejuat Mladiçin t’i vriste gjithë ata njerëz në Srebrenicë?” Kurse Milosheviçi u përgjigj: “Eh, gjeneral Clark, e këshillova të mos e bënte, por nuk më dëgjoi”. (Florence Hartmann, po aty fq.130)
Origjinalet e procesverbaleve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë (KSM-së) dhe Këshillit për koordinim politik, instancës që i mblidhte liderët serbë nga Bosnja dhe ata nga Beogradi, tregojnë se Millosheviçi kërkonte që shërbimet e tij për çdo ditë të informonin për situatën në Bosnjë dhe se dispononte linjë të posacme telefoni që, sa herë të donte, e lidhnin me Karadziçin dhe Mladiçin. Gjithashtu dëshmojnë se më 1995 Milosheviçi vazhdon ta përcjellë zhvillimin e situatës në Bosnjë, posaçërisht para, gjatë dhe pas masakrës në Srebrenicë, e që së paku një herë ta telefononte Mladiçin në këtë fazë. (Florence Hartmann, po aty fq.129 – 130)
Takimet e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë KSMJ-së, pas masakrës në Srebrenicë dëshmojnë se Milosheviçi pajtohet me mizoritë. Në asnjë çast nuk e dënon gjakderdhjen. Përkundrazi, uron Mladiçin për suksesin ushtarak dhe për numrin e vogël humbjesh që kishte pësuar dhe e pranon se ka qenë në kontakt me Mladiçin gjatë sulmit në Srebrenicë dhe në Zhepa.
Sipas një hetuesi të Tribunalit (të Hagës – sh.b), i cili i kishte mbledhur dëshmitë e shumicës së diplomatëve dhe ushtarakëve që ishin rreshtuar në kabinetin e Milosheviçit në korrik të vitit 1995, Milosheviçi shihej si “i vetmi person, të cilit mund t’i qaset bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar ndihmën dhe këshilla se si të ndikojë te serbët e Bosnjës”.
Diplomati suedez Carl Bildt, i cili është takuar me Milosheviçin më 14 korrik 1995, mu pas daljes së Mladiçit nga zyra e tij dhe derisa po vazhdonin masakrat në Srebrenicë, kujton: “Milosheviçi përpiqej të ndihmonte. Po të dinte Milosheviçi për krimet që po ndodhin, do të ishte i tmerruar, nuk mund të besoj se kishte qenë i përzier në atë masakër”. (Florence Hartmann, po aty fq.138)
Millosheviçi,… më 13 gusht 1995 nga Washingtoni mori konfirmimin se në tavolinën e bisedimeve enklavat Zhepa dhe Srebrenica do t’u takojnë serbëve, “me kusht që ta pranojë Bosnjën me kufijtë e vet shtetërorë”…. Më 25 gusht, vetëm një javë para hapjes se negociatave në Dayton, Milosheviçi shton: ” Nëse myslimanët e refuzojnë marrëveshjen e paqes, do t’u thuhet se mbesin të vetmuar me Shpatën e Damokleut mbi kokë, që e ka formën e gjeneral Mladiçit”. (Florence Hartmann, po aty fq.131)
Gjatë kohës së negociatave për paqen që mbaheshin prej 1 deri më 21 nëntor 1995 në bazën ushtarake amerikane në qytezën e Daytonit, në Ohaio (Ohajo), çështja e kriminelëve të luftës dhe arrestimit të tyre thjesht nuk u fut në rend të ditës. Madje, diplomatët amerikanë, evropianë e rusë që ishin në Dayton e karakterizuan këtë si deal-breaker, përkatësisht, çështje që mund t’i prish negociatat. (Florence Hartmann, po aty faqe 157)
Madje negociatorët ndërkombëtarë fillimisht shqyrtojnë mundësinë që në Dayton të ftojnë Radovan Karadziçin dhe Ratko Mladiçin. (fq 158) Marrëveshja e Daytonit u nënshkrua më 14 dhjetor 1995 në Paris, 60 mijë ushtarët e NATO-s, nga fillimi i vitit 1996 vendosen në Bosnjë e Hercegovinë (fq.162)
Pas Daytonit, Milosheviçi festonte një “arritje historike”. “E kemi gjysmën e Bosnjës! Republikën! Nga katër planet (e paqes, v.a), ky është më i miri për serbët. Ata i kanë të gjitha qytetet buzë Savës, tri qytete në brendi dhe gjithë luginën e Drinës, pos Gorazhdës. Këto janë pesëdhjetë qytete dhe 25 mijë km2! Do të duhet t’i çojmë prapa të gjithë refugjatët (serbë – v.a) që janë te ne, ashtu që të kenë njerëz me të cilët do të popullojnë territorin e tyre”, u deklaroj Milosheviçi anëtarëve të Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë – KSM’së më 6 dhjetor 1995 në Beograd.
E VËRTETA RRETH BOSNJËS!
Për prapaskenat e përgjakshme në Bosnje ka bërë një hulumtim studiuesi anglez, David Icke:
“THE TRUTH ABOUT BOSNIA” (E VËRTETA RRETH BOSNJËS)
“- Më 19 Dhjetor të vitit 1994, shkrimtari Warren Hough deklaroi se Henry Kissinger ishte akuzuar nga presidenti francez Mitterand se ishte “kryemanipulatori” i konfliktit jugosllav. Thuhet se deklarata është bërë në një mbledhje të Konferencës Europiane të Sigurisë në Budapest, Hungari. Sipas Warren Hough: “Si pjesë e planeve të tyre të luftës, udhëheqësit serbë shpenzuan miliona dollarë për kontrata dhe pagesa në Shtetet e Bashkuara.
Burime nga Wall Street theksojnë se shumica e këtyre marrëveshjeve jetëshkurtra, me sa duket u sajuan për të fituar para për firmën këshillimore të Kissinger “Shoqëria Kissinger”, drejtor themelues i së cilës ishte Lord Carrington, një ndërmjetësues për “paqe” në ish-Jugosllavi. Gjithashtu u fituan para edhe nga dy miqtë e Kissinger’it, Lawrence Eagleberger dhe Brent Scowcroft.
Një shqyrtim i dokumentave të bankës në Nju Jork (New York City) tregoi se që në fillim të vitit 1992, Eagleberger (ish Sekretari amerikan i Shtetit) dhe Scowcroft (Këshilltar i Xhorxh Bushit për sigurinë kombëtare në shtëpinë e bardhë), i fshehën serbëve një “lidhje/burim parash”, ndërsa ata me sa duket po formulonin “pozicionin asnjanës të SHBA-së” ndaj fraksioneve etnike ndërluftuese të ish’Jugosllavisë.
“Është me interes fakti që Sir Alfred Sherman ka qenë këshilltar i udhëheqësit serb Radovan Karaxhiç, i cili vepronte nga një apartament ngjitur me zyrën e tij. Sipas kërkimit të publikuar, Sherman njihet si “shpikësi i Margaret Thaçer-it”, dhe ai ishte në ballë të manovrimeve të cilat sollën zgjedhjen e saj.
Serbët u sponsorizuan nga Elita e pushtetit në Beograd nëpërmjet bankave të përfshira në pastrimin e parave të pista, të cilat ishin para droge. Gjithashtu është mahnitës fakti se sa “fondacione” u ngritën në ish Jugosllavi nga spekullatori financiar George Soros. Ai i ngriti këto fronte në Bosnie, Kroaci, Shqipëri, Slloveni dhe Beograd.
Sorosi është një mik i ngushtë i Lawrence Eagleberger i ‘Shoqërisë Kissinger’, ish ambasador amerikan në Beograd dhe një aleat i ngushtë i Sllobodan Millosheviçit.
Sipas shkrimtarit dhe studiuesit Ben Vidgen, i cili shkroi në revistën Nexus, në Shkurt të vitit 1996, Amerika, Gjermania dhe Izraeli po drejtonin një transport ajror sekret armësh për Kroacinë dhe Bosnien.
Që në fillim të konfliktit, gazetarë francezë bënë të ditur në vitin 1994 që agjentët e CIA-s po i nxisnin Muslimanët e Bosnjes drejt kundërsulmeve kokëkrisura dhe të pashpresa kundër serbëve me premtimet e gënjeshtërta të mbështetjes nga amerikanët.
Fakt ky i mbështetur dhe nga George Kenney, një zyrtar amerikan i ngarkuar me çështjet jugosllave në Departamentin e Shtetit Amerikan, derisa ai dha dorëheqjen i indinjuar me 14 Gusht të vitit 1992.
Warren Hough deklaron se ndërsa muslimanëve iu ngrit kurthi, rrjeti i Kissinger-it po luante lojën e „të mirit – të keqit“, të cilën e përdorin shpesh manipuluesit. Dy udhëheqësit serbë, Milloseviç dhe Karazhiç ishin pjesmarrës të kësaj loje. Sipas Hough-it: “Nën këtë skenar, Milloseviçi, klienti i Shoqërisë Kissinger, hodhi poshtë dhe dënoi publikisht sulmin e paligjshëm të trupave të Karaxhiçit kundër muslimanëve të Bosnjës.
Por në mënyrë të maskuar qeveria e Millosheviçit furnizoi forcat “tradhëtare” të Karaxhiçit me të gjitha armët dhe mbështetjen që atyre u nevojitej për të zhvilluar një “luftë shfarosëse” e të paepur kundër fqinjëve të tyre muslimanë. Sigurisht, furnizimi i muslimanëve u bllokua nga konfiskimi i armëve nga OKB-së. Studimi gjithashtu pohon se Arabia Saudite, një tirani fashiste në vetvete, po futej në kurth nga ky plan.
Sipas disa burimeve, mbreti Fahd sigurohej vazhdimisht që SHBA-ja planifikonte të hiqte konfiskimin e armëve në kohë për të lejuar që armët të mbërrinin tek muslimanët. Rrjedhimisht, mbreti bindi udhëheqësit e tjerë islamikë të kishin besim tek Uashingtoni. Tani monarkia saudite denoncohet si tradhëtare e Islamit gjë e cila, sigurisht, iu vjen për shtat manipuluesve.
Duke marrë parasysh të gjitha këto, ka disa lidhje interesante mes “ndërmjetësuesve të paqes” në Bosnje.
-Lord Carrington anëtar i (Instituti Mbretëror i Çështjeve Ndërkombëtare, Bilderberger, Komisioni Trilateral, Comm 300),
– Lord Owen anëtar i ( Bilderberger, Komisioni Trilateral) dhe
– Karl Bildt i Suedisë (Bilderberger) ndoqën njëri-tjetrin si “ndërmjetësues paqeje”, zyrtarë për Bashkimin Europian në ish Jugosllavi.
– Cyrus Vance anëtar i (KMJ, KT, Bil, Comm 300) ishte “ndërmjetësuesi për paqe” i OKB-së, ndërsa në të njëjtën kohë ishte një drejtor i disa fabrikave të quajtura ‘Manufacturers Hanover Trust’.
Kur Vance doli në pension, OKB-ja caktoi norvegjezin Thorvald Stoltenberg, anëtar i (KT, Bil) dhe kur Xhimi Karter anëtar i ( KT ) dështoi në mënyrë të kuptueshme “të arrijë paqe”, “fluturon” në Bosnje si një “negociator i pavarur”.
Më vonë erdhi Richard Holbrooke anëtar i (KT, KMJ, Bil), i dërguari i paqes së Bill Clinton anëtar i (KMJ, KT, Bil) dhe ambasadori amerikan në Jugosllavi ishte Warren Zimmerman anëtar i ( KT, KMJ), për të raportuar tek Warren Christopher anëtar i ( TC, CFR ).
E mbani mend gjenocidin e tmerrshëm në Ruanda?
Kush mbërriti në Ruanda pak ditë përpara se të arratiset në një “mision të fshehtë diplomatik”? Lord Carrington dhe Henry Kissinger.
A mund të fluturojnë derrat?
Kështu, sajimi i “konfliktit boshnjak” solli krijimin e forcës më të madhe shumëkombëshe që nga lufta e dytë botërore, e cila u mundësua në saje të vuajtjeve çnjerëzore të shkaktuara me paramendim. Personi kryesor për këtë ushtri botërore të NATO-s ishte Bill Clinton (KMJ, KT, Bil), “njeriu lepe-peqe” për David Rockefeller dhe Elitën.
Në 6 Dhjetor 1995 ne pamë një reklamë (citim) prej një faqe (në gazetën e kontrolluar nga CIA, ‘Washington Post’) të afishuar nga një organizatë e cila e quante veten “Komiteti për Udhëheqje Amerikane në Bosnje”, firmosur nga:
– Zbigniew Brzezinski (KMJ, themeluesi i KT, Bil),
– Kongresmeni Stephen Solarz (KMJ),
– Gorge Soros (Bil),
– Michael Armacost (KMJ dhe president i Elite Brookings Institute) dhe
– Leslie Gelb (KT, president i KMJ).
“Ne kemi shtete një partiake brenda një bote një partiake, nën një ushtri një partiake. Sa të tjerë duhet të vuajnë përpara se lolot politikanë të ndalojnë së qënuri leshko? Sa tragjedi të tjera do të ndodhin përpara se raca njerëzore të marrë nën kontroll fatin e vet?”
Si përfundim
Sot, ka shumë vido’materiale arkivore që shpërfaqin luftën e përgjakshme në Bosnje e veçanërisht masakrën e Srebrenicës, dhe përfshirjen e shumë faktorëve të brendshëm e të jashtëm në këtë ngjarje të tmerrshme, por megjithatë ato nuk pasqyrojnë gjithanshëm përmasat e këtij gjenocidi. Ka shumë fakte që nuk janë ndriçuar akoma deri në fund. Dhe duke qenë kështu, Serbrenica vazhdon të jetë një “enigmë” makabre.
***
Shikoni e dëgjoni me kujdes këto dëshmi:
Hakija Meholjić: Srebrenica është shitur nga Alija Izetbegovič! (Hakija Meholjić: Srebrenica prodana od strane Alije Izetbegovica)
***
Marrëveshja Klinton – Izetbegoviç për Srebrenicën! (Klinton i Izetbegović dogovorili Srebrenicu!)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hamza Balje, përmes një njoftimi…