Gjermania qorton Kurtin

29 korrik 22:39

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje më 28 korrik, ka pritur në takim Sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.

Por, çka i tha Berger-Kurtit për vazhdimin e dialogut dhe çka paraqiti komunikata për media e dërguar nga Zyra për Komunikim me Publikun nga Qeveria dhe pse Kurti nuk shkroi asgjë në rrjetin social Facebook lidhur me këtë takim?.

Menjëherë pas këtij takimi, diskutimet midis kryeministrit Albin Kurti dhe Sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë u bënë të ditura vetëm përmes një komunikate për media dërguar nga Zyra për Komunikim me Publikun nga Qeveria.

“Përparimi i Dialogut – bashkëpunimi rajonal”

Sipas komunikatës së dërguar dje për media, thuhet se rëndësia e bashkëpunimit dhe rritja e investimeve gjermane në Kosovë, ishte temë diskutimi, me theks të veçantë te mërgata e fuqishme në Gjermani.

Në komunikatë u tha se u fol vetëm për Procesin e Berlinit, si formë e bashkëpunimit rajonal, i dalë nga Samiti i Sofjes vitin e kaluar, mirëpo nuk u përmend se Berger kishte thënë në fakt se edhe dialogu duhet të ketë përparim edhe në bashkëpunim rajonal.

“Ai tha se Gjermania do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët, si formë e bashkëpunimit rajonal, dalë nga Samiti i Sofjes, vitin e kaluar. U diskutua edhe për takimet e fundit në Bruksel dhe për ecurinë e mëtejshme dhe rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në komunikatën e dërguar nga qeveria.

Mirëpo, vetë Miguel Berger, përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka bërë të qartë se çka u bisedua në takim me Kurtin, duke e bërë të ditur me një fjali të qartë se “Duhet përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkëpunim rajonal!”, shkruan Demokracia.com

“Dita e parë shumë e mirë në Kosovë. Faleminderit Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti për diskutimin konstruktiv. Pajtohem plotësisht për rrugën evropiane të flamurit të Kosovës dhe rëndësinë e sundimit të ligjit. Duhet përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkëpunim rajonal!”, ka shkruar ai.

Për një takim të kësaj rëndësie, kryeministri Albin Kurti nuk bëri asnjë shkrim në rrjetin social Facebook, por qëndrimet u paraqitën vetëm përmes një komunikatë për media.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të tretë brenda muajit, policia ka sekuestruar sasinë…