Gjykata franceze u jep të drejtë rosave të bëjnë ‘kuak-kuak’

20 nëntor 2019 | 15:06

Rosat në një fermë të vogël franceze mund të vazhdojnë të bëjnë “kuak-kuak”, madje sa të duan pasi një gjykatë franceze, ka vendosur në favor të tyre, duke refuzuar padinë e ngritur nga një fqinj, që ankohej se zhurma e zogjve po ia shkatërronte jetën.

Gjykata në qytezën Dax, ka vendosur se zhurma që vinte nga tufa prej rreth 60 rosash dhe patash, që rriteshin nga një fermer në pension, në buzë të një kodrine në Pirenej, në Francën jugperëndimore, ishte brenda limiteve të pranueshme.

“Rosat fituan”, ka thënë pronari për agjencinë e lajmeve “Reuters” pas vendimit të gjykatës. “Unë jam shumë i gëzuar sepse nuk doja që të detyrohesha t’i çoja ato tek kasapi”, ka thënë ai.

Padia ishte paraqitur në gjykatë nga një fqinj i fermerit që ishte zhvendosur nga qyteti në fshat rreth një vit më parë, në një pronë rreth 50 metra larg nga vendi ku mbahen rosat. Ai kish kërkuar marrjen e masave për reduktimin e zhurmës dhe 3 500 euro dëmshpërblim.

Mosmarrëveshja është më e fundit në një seri çështjesh gjyqësore që kanë pasur në shënjestër jetën tradicionale në Francën rurale përballë vlerave moderne.

Në një tjetër vendim në shtator, një gjel deti i quajtur Moris, ishte lejuar të vazhdonte të këndonte në agim, pavarësisht ankesës së fqinjëve që po ashtu kishin ardhur në fshat nga qyteti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka reaguar duke kundërshtuar…