Gjysma e bizneseve në veri të Mitrovicës veprojnë ilegalisht

13 prill 2019 | 14:33

Rreth gjysma e bizneseve që veprojnë në veri të Mitrovicës, nuk janë tatimpagues të rregullt në Administratën Tatimore të Kosovës. Humbjet llogariten të jenë të mëdha ndër vite nga evazioni fiskal në tri komunat e Mitrovicës në veri.

Përfaqësues të bizneseve për rajonin e Mitrovicës, thonë se buxheti i shtetit të Kosovës ka humbur dhjetëra milionë euro ndër vite nga evazioni fiskal në pjesën veriore. Ndërsa, drejtues të ATK-së nuk kanë të dhëna se sa mund të jenë humbjet financiare në atë pjesë nga tatimpaguesit jo të rregullt.

Drejtori i Departamentit të Administratës së Financave në Odën Ekonomike të Kosovës, njëherësh koordinator i Njësisë Rajonale të Mitrovicës, Rrustem Abiti thotë për “KP”, se shumë biznese në veri të cilat funksionojnë në forma ilegale, përveç që nuk ia paguajnë tatimet ATK-së, iu përgjigjen institucioneve të Serbisë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka deklaruar për “KosovaPress”, numri i bizneseve të rregullta nga komuniteti serb në veri është mbi një mijë, që sipas tij, nuk është numër real.

Mirëpo, Murtezaj nuk ka informacione se sa biznese jo të rregullta operojnë në veri të Mitrovicës.
Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës thotë për KosovaPress se biznese të ndryshme në veri të Mitrovicës janë zënë gjatë tentim kontrabandimit, përmes rrugëve malore, si nga pjesa veriore, ashtu edhe nga pjesë të tjera.
Në periudhën e fundit, Dogana ka zënë mbi 20 raste të kontrabandimit në veri të Mitrovicës, prej tyre pesë mauna me mallra ushqimore.

Ekipi i “KosovaPress”, ka qëndruar në pjesën veriore, ndonëse pronarët e bizneseve në atë pjesë nuk kanë dëshiruar të flasin, për shkak të pasojave që mund t’i kenë nga komuniteti i tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dega e PDK-së në Prizren, është duke e mbajtur sot…