Gratë duhet punuar për të lënë gjurmë, e jo vetëm për të ekzistuar

04 dhjetor 2021 | 19:42

Shkruan: Erblina Tahiraj

Jetës sonë fillon t’i vije fundi, kur ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi. Andaj, asnjëherë nuk duhet heshtur për diçka që na preokupon.

Jemi dëshmitarë të jetës në një shoqëri në të cilën jo rrallë promovohen kundërvlerat, injorohen dhe distancohen njerëzit e ndershëm, mohohet e vërteta dhe mbështetet padrejtësia. Jo rrallëherë shohim përbuzjen dhe nëpërkëmbjen e gruas si vlera më sublime e një shoqërie, e në veçanti në shoqërinë tonë. Populli ynë nuk ka pasur kurrë traditë të poshtërojë vajzën apo gruan, përkundrazi ato gjithmonë janë parë dhe ruajtur si një vlerë e madhe e shoqërisë.

Mbi të gjitha marrëzitë që mund të hasim në këtë kohë, kulmi i marrëzisë më duket edhe tendenca për t’u shfaqur tek të tjerët, duke harruar se kush jemi në të vërtetë.

Çdo ditë vije me “një trend të ri”, e jo me një objektivë të re, me një synim të ri.

Disa gjëra nuk duhet harruar asnjëherë:

KRENARIA e gruas nuk janë paratë, por mënyra sesi fitohen ato;

LUMTURIA e gruas nuk janë shtëpitë e vilat luksoze, por personat e dashur me të cilët ato jetojnë brenda tyre;

SUKSESI i gruas nuk është pozita që ka, por zotësia e aftësia për të qenë e denjë për të;

BUKURIA e gruas nuk vërehet në fytyrë dhe veshje, por në pastërtinë e shpirtit e saj;

JETA e njerëzve nuk janë rrjetet sociale, por qetësia shpirtërore e lumturia që kanë brenda familjes;

PASURIA e njerëzve nuk është stili i shtrenjtë i jetës, por shëndeti i trupit dhe mendjes; VARFËRIA e njerëzve nuk matet me llojin e veturës që ata kanë, por me mënyrën sesi e kanë blerë atë që posedojnë;

DASHURIA mes njerëzve nuk është aftësia për t’u shtirur, por ndjenja më e vërtetë, e shtrenjtë dhe reale, ashtu siç duhet të ishte;

PUNA e njerëzve nuk duhet të jetë dëshirë që të duket tek të tjerët, por aftësi dhe guxim për të marrë iniciativa;

KONKURENTËT nuk janë e keqja e njerëzve, por janë e mira që i ndihmon të ndryshojnë gabimet e tyre;

EDUKATËN e vajzave nuk e paraqesin paragjykimet e të tjerëve, por veprat që bëjnë ato;

GUXIMIN e vajzave nuk e paraqet heshtja e saj, por njohja e vetvetes dhe aftësia për t’i dalë zot vetes.

Prandaj, duhet punuar për të lënë gjurmë, e jo vetëm për të ekzistuar dhe jo vetëm për të pasur. Të gjitha grave, në veçanti vajzave të reja që po sfidohen ju them të bëjnë hapat e duhur, ngase çfarëdo që të ndodhë:-Dituria, guximi dhe personaliteti i juaj i drejtë do t’ju mbajnë GJITHMONË NË KËMBË.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se dita e diele…