Grenelli mbetet emisar special i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi

20 shkurt 2020 | 17:21

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar ambasadorin e ShBA-së në Gjermani dhe të dërguarin e posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

“Ambasadori Grenell u konfirmua për rolin e tij si ambasador nga Senati në prill të vitit 2018 dhe ai ka disa vite përvojë duke punuar me Komunitetin tonë të Inteligjencës në një numër pozicionesh shtesë, duke përfshirë pozitën si i Dërguar Special për negociatat Serbi-Kosovë dhe si zëdhënës i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara”.

“Ai është i përkushtuar për një qasje jo-politike, jo-partizane si udhëheqës i Komunitetit të Inteligjencës, nga e cila varet siguria dhe mbrojtja jonë. Presidenti ka besim të plotë se Ambasadori Grenell do të kryejë detyrat e tij të reja me nder”, është thënë në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Edhe pas emërimit në pozitën e re, Grenell do të mbetet i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të konfirmojmë që ambasadori Grenell do të shërbejë si ambasador i ShBA-së në Gjermani, i dërguari special presidencial për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë dhe tani si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, njëkohësisht”, ka thënë në një komunikatë dërguar medieve, Dick Custin, zëdhënës i ambasadorit Grenell.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka…