Greva vazhdon, SBAShK-u: Shkresa e avokatit të popullit nuk solli gjë të re

18 shtator 2022 | 18:37

Sindikata thotë se kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve vlerësojnë se shkresa e Avokatit të popullit nuk solli asgjë të re.

SBASHK-u ka vazhduar takimet e rregullta konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve për ta analizuar situatën aktuale dhe për t’u konsultuar se si do të veprohet më tutje.

SBASHK-u përmes një komunikate për media njëherë kanë kritikuar qëndrimin e Qeverisë karshi kërkesave të tyre dhe vlerësojnë se Qeveria sikur nuk do që greva të përfundojë.

“Qeveria nuk ka bërë e nuk po bën asnjë angazhim serioz për realizimin e kërkesave të grevistëve, respektivisht negocimin e tyre. Përveç kësaj, Qeveria vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

“Kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve janë informuar nga anëtarë të Këshillit Grevist të BSPK-së për dy takimet me Avokatin e popullit, që janë mbajtur me iniciativën e tij, dhe më pas kanë analizuar në detaje shkresën e arritur nga Avokati i popullit. Vlerësimi i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim konkludoi në atë se kjo shkresë nuk solli asgjë të re dhe prandaj greva vazhdon. SBASHK nesër do të përgatis një shkresë duke i dhënë përgjigje shkresës dhe të njëjtën do ta adresojë te Avokati i popullit”, shtohet tutje në njoftim.

Pjesëmarrësit e këtij takimi janë informuar se drejtorja e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës i ka dërguar shkresë Kryeministrit Kurti për një takim dhe është në pritje të konfirmimit, me qëllim që të udhëtojë në Kosovë, pasi ka ndërprerë të gjitha vizitat dhe angazhimet e tjera, me qëllim që të japë kontribut me vlerë në takim me kryeministrin Kurti për arritjen e një marrëveshjeje.

“Me anë të kësaj marrëveshjeje do t’i realizonte kërkesat legjitime të grevistëve në sektorin e arsimit dhe në atë të shërbyesve civilë”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë vende, përfshirë këtu Greqinë dhe Shqipërinë e kanë traditë…