Grida Duma për Uran Ismailin: Një figurë që sjell një frymë perëndimore në politikë
Uran Ismaili, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe numri dy në listën e kësaj partie për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ka qenë i ftuar në podcastin e Grida Dumës, ku u vlerësua për stilin e tij politik dhe mënyrën se si e ka ndërtuar rrugëtimin publik.
Në hyrje të bisedës, Duma tha se Ismaili përfaqëson një figurë politike me qasje ndryshe në hapësirën shqiptare, duke e lidhur stilin e tij me atë që në politikë njihet si “soft power”.
“Jam surprizuar për mirë me një figurë dhe protagonist të PDK-së së Kosovës, Uran Ismailin, i cili deri diku më kishte shpëtuar në stil, jo në emër, jo në protagonizëm, por në stilin e të bërit politik”, u shpreh Duma.
Ajo tha se Ismaili, sipas saj, përfaqëson një stil politik që nuk mbështetet te forca e ashpër, por te qëndrueshmëria, qetësia dhe ndikimi i butë politik.
“Ajo që në politikë quhet soft power është e fortë dhe nuk është aspak për t’u eliminuar. Soft power e përshkruajnë ata që do ta analizonin Uran Ismailin”, tha Duma.
Duma e vlerësoi gjithashtu mënyrën se si Ismaili ka zgjedhur ta bëjë rrugëtimin e tij politik, duke thënë se ky stil mund të kërkojë kohë, por është i sigurt.
“Unë të komplimentoj që të kam këtu dhe do ta nis me komplimentimin që kam për ty për stilin që do të kërkojë kohë, por është i sigurt, sipas meje, në mënyrën si ke zgjedhur të bësh rrugëtimin politik”, u shpreh ajo.
Në një pjesë tjetër të bisedës, Duma tha se figura e Ismailit përbën, sipas saj, “një fabul shumë perëndimore në politikë”, duke e cilësuar si një prej figurave që sjellin një frymë më moderne brenda politikës shqiptare.



