Hajdari: 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kanë emërtime kundërkushtetuese

30 korrik 2023 | 22:56

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka bërë me dije se më 6 korrik 2023 kanë themeluar Komisionin për riverifikimin e dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.

Sipas Hajdarit, deri më tani janë konstatuar se 48 biznese janë të regjistruara në ARBK me emërtime kundërkushtetuese, dhe e njëjta ka thënë se edhe për këto biznese do të veprojnë njëjtë si në rastin e Klan Kosovës.

“Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”, ka shkruar Hajdari në “Facebook”.

Postimi i plotë i saj:

Ligjshmëria në regjistrimin e biznesit në Republikën e Kosovës

Pas riverifikimit dhe pezullimit të çertifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë( MINT) nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.
Me 6 korrik 2023, MINT ka themeluar Komisionion për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qënë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese.
Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj.
ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.
Pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta.
Si përherë, MINT është i përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, pa kompromis, pa përjashtim dhe pa diskriminim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi FC Kosova Regensburg, ka njoftuar për vdekjen e mërgimtarit…