Hajrizi: Japim maksimumin në çdo ndeshje

26 korrik 2019 | 16:02

Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë me stërvitje dy herë në ditë në përgatitjet për parakualifikimet e “Eurobasket 2021”. “Dardanët” do të përballen me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje. Kosova ka zhvilluar dy ndeshje miqësore me Sllovakinë, derisa do të zhvillojë edhe dy me Shqipërinë, të premten dhe të shtunën, për t’u përgatitur sa më mirë.

Basketbollisti i Kosovës, Drilon Hajrizi, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Mund të them se përgatitjet po shkojnë ashtu siç kemi planifikuar dhe po japim maksimumin edhe në stërvitje për t’u përgatitur sa më mirë. Nuk kemi shumë kohë, andaj duhet të përgatitemi 100 % deri para ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe shpresoj të mos kemi lëndime”, deklaroi Hajrizi për faqen zyrtare të FBK-së.

Basketbollisti mitrovicas vlerësoi se ndeshjet miqësore janë shumë të rëndësishme. “Kemi zhvilluar dy me Sllovakinë, derisa do t’i zhvillojmë edhe dy me Shqipërinë. Këto ndeshje na ndihmojnë t’i përmirësojmë gabimet dhe të fokusohemi 100 % për ndeshjet parakualifikuese”, ka shtuar ai.

Ndeshjet miqësore ndaj Shqipërisë do të zhvillohen të premten (19:00) dhe të shtunën (19:00) në Prishtinë. Takimet zhvillohen me dyer të mbyllura. Në fund, ai foli edhe për gjasat e Kosovës për kualifikim. “Ne do ta japim maksimumin në çdo ndeshje. Në shtëpi do ta kemi përkrahjen e publikut, që na ka mbështetur gjithmonë, por duhet të fitojmë edhe si mysafirë për t’u kualifikuar. Britania ka një ekip të mirë, por ne nuk do të dorëzohemi dhe do të luajmë për fitore në çdo ndeshje”, përfundoi Drilon Hajrizi.

Ndeshjet parakualifikuese zhvillohen nga 3 deri më 21 gusht.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-miss Universe Albania, Trejsi Sejdini ka reaguar rreth lajmeve që…