Haliti: Thaçi ka ndikim në LDK e AAK dhe në disa struktura të Vetëvendosjes

03 tetor 2018 | 22:20

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se paraqitja e dorëheqjes nga ana e ministrit Tahiri për kryeministrin Haradinaj, politikisht ka qenë korrekte.

Ai në “Debat Plus” me “RTV Dukagjini” ka thënë se Kadri Veseli si kryetar i PDK-së nuk e ka pranuar dorëheqjen e Tahirit dhe kjo punë sipas tij ka përfunduar këtu.

“Unë jam dakord më z.Tahiri se politika ka gisht në drejtësinë kosovare. Drejtësia nuk është e pavarur”, ka deklaruar ai.

Haliti ka thënë se është një luftë në Kosovë mes subjekteve politike për të vendosur njerëzit e tyre në institucione të ndryshme.

“Pa marrëveshje politike, edhe në Kuvend nuk mund të votohen”, ka shtuar ai.

Anëtari i kryesisë së PDK-së thotë se Thaçi mund të ketë marrë edhe qëllimisht forcat e njësisë speciale.

“Ai ndoshta ka dashur të demonstroj forcën, sepse edhe ajo është pjesë e Kosovës. Në veri e dimë të gjithë se askush nuk mund të lëviz bash aq lirshëm. Thaçi është komandant i forcave të armatosura, dhe ka të drejtë të shoqërohet nga policia”, ka deklaruar ai.

Zyrtari i lartë i PDK-së ka shtuar se Thaçi nuk ka obligim të njoftojë Veselin për vizitat e tij, pasi i kanë kompetencat e ndara.

“Thaçi nuk ka obligim ta informojë Veselin për vizitën në veri. Ka shumë politikan që kanë villa në Brezovicë dhe ata nuk e informojnë askënd”, ka shtuar  ai.

Duke folur për ndikimin e Thaçit në PDK, Haliti ka thënë se ai ka ndikim edhe në LDK, AAK dhe disa struktura të Vetëvendosjes.

“Unë besoj se Thaçi ka ndikim edhe në LDK, AAK dhe disa struktura të Vetëvendosjes”, ka deklaruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në SHBA, hetuesit po përpiqen të gjejnë se kush i…