Hamza ia dorëzon Apostolovës Programin për reforma në ekonomi

31 janar 2018 | 14:14

Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, ia ka dorëzuar shefes se Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, Programin për reforma në ekonomi 2018-2020.

Ai ka thënë se ky program edhe këtë vit u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.

“Për herë të parë, ky program është hartuar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të palëve me interes nga shoqëria civile dhe komuniteti i bizneseve, duke u bazuar në një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura publike kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejt në azhurnimin e këtij programi”, ka deklaruar Hamza.

Hamza ka thënë se janë të vetëdijshëm që Kosovën e pret një rrugë e gjatë e transformimit për të arritur konvergjencë me anëtarët e BE-së.

“Përsosja e ekonomisë së tregut kërkon reforma afatgjate të cilat krijojnë një ambient për rritje të produktivitetit dhe gradualisht zhvillojnë aftësinë e ekonomisë për t’u përballur me konkurrencën e një tregu të vetëm evropian. Prandaj, Programi për reforma në ekonomi është platformë që na mundëson përsosjen e planifikimit strategjik buxhetor dhe politik dhe mundëson efektivitet më të lartë të qeverisjes sonë”, ka thënë Hamza.

Më tutje ai ka thënë programi në fjalë, ka konkretizuar masat e mëhershme dhe i ka sjellë ato në linjë me dokumentet e fundit strategjike, duke përfshirë edhe Programin e Qeverisë 2017-2021.

“Fokusi kryesor është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, adresimin e boshllëqeve në infrastrukturën publike, orientimin e shpenzimeve për sektorët prioritar (rendit, edukimit, dhe shëndetësisë), të gjitha këto me një fokus të qartë në krijimin e kushteve për zhvillim të udhëhequr nga sektori privat. Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5 për qind, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes, kryesisht përmes kredive koncesionare. Rreziqet janë të balancuara”, ka thënë Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Gjermanisë, Mesut Ozil ka nënshkruar kontratë të re…