Hapet Qendra e dhjetë informuese për shëndetin e gruas edhe në Klinë

31 gusht 2018 | 13:12

Me në një ceremoni zyrtare, të premten janë hapur dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Klinë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë financimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkëpunimit të Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Klinës, QKMF-së dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.

“E kemi mirëpritur hapjen e Klasave për Nëna edhe në Qendrën Kryesor të Mjekësisë Familjare në Klinë, si mundësi e jashtëzakonshme për shtrirjen e informimit të sakte dhe shumë të rëndësishme të nënave dhe partnereve të tyre për një shëndet më të mirë të tyrin dhe foshnjave të tyre”, ka thënë dr. Hekuran Sejdiu, drejtori i departamentit të shëndetësisë së Komunës së Klinës.

Ndërkaq, përfaqësuesja e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, Labërie Çarreti-Sylejmani, ka thënë se Qendra e dhjetë “Klasat për Nëna” e hapur tani edhe në Klinë do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës.

“Jemi të lumtur që interesimi nga nënat është rritur dhe kërkesa për hapjen e Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas është çdo ditë e më i madh”, është shprehur ajo.

Qendra Informuese në Klinë është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Klinës, si dhe partneret e tyre.

Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Klinë, në uebfaqen e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës “Klasat për Nëna”.

Kjo është Qendra e dytë e cila po hapet përgjatë vitit 2018, ndërsa nga viti 2014 prej kur u themelua ky program, “Klasat për Nëna” janë të shtrira në nëntë Komuna të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë, Prizren, Kaçanik, Pejë, Shterpcë, Dragash dhe tani edhe Klinë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët…