Haradinaj: Askush nuk mund të më detyroj ta heq taksën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar përsëri rreth taksës së vendosur nga Qeveria për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës.
Ai në një konferencë për medie, ka thënë se preferon heqjen e taksës mirëpo, por jo pa u arritur një marrëveshje me Serbinë, marrëveshje e cila siguron njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Unë e preferoj heqjen e taksës madje krejt Kosova e preferon, por kjo është e ndërlidhur me njohjen. Dialogu ka nisur para taksës edhe asnjëherë nuk është kushtëzuar dhe nuk duhet të kushtëzohet. Marrëveshja mes dy vendeve do të nënkuptonte njohjen nga ana e Serbisë, ulësen në OKB”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka theksuar se taksa do të hiqet vetëm me marrëveshje. “Do t’i mbetem besnik bindjes për heqjen e taksës mirëpo, kjo do të bëhej me një marrëveshje për heqjen e kësaj takse. Nuk hiqet taksa pa marrëveshje. Dhe kjo është e rëndësishme që ta dinë të gjithë”, ka thënë ka thënë Haradinaj, duke shtuar se askush nuk mund ta detyrojë ta heq taksën.
“Nëse dikush mendon se mund të më detyrojë që ta heq taksën, le të ulet në vendim tim dhe le ta heq vet. Kjo nuk mund të më imponohet. Unë ju siguroj se taksa mund të mbetet përjetësisht deri kur të zgjidhet problemi Kosovë-Serbi”, është shprehur Haradinaj.