Haradinaj: Investitorët në Kosovë kanë partner dhe nuk janë vetëm

21 janar 2019 | 13:06

“Investitorët në Kosovë kanë partner, dhe nuk janë vetëm”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që sot i bëri Ndërmarrjes së re “Ferronikeli”, ku pa nga afër zhvillimet në këtë kompani.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, pasi falënderoi Grupin “Balfin” për investimin në Ndërmarrjen “Ferronikeli”, ka deklaruar se kjo kompani është një prodhues dhe eksportues i madh, si dhe investim me rëndësi për Kosovën.

“Janë disa vështirësi që do t’i kalojmë bashkë. Janë 800 të punësuar të rregullt dhe është interes i yni që vështirësitë që i kemi t’i tejkalojmë bashkë. Njëkohësisht, është interes i yni të përçojmë porosinë që investitorët në Kosovë kanë partner, dhe nuk janë vetëm”, u shpreh Haradinaj, duke shtuar se nga Ferronikeli do ta dërgojnë porosinë për të gjithë investitorët e tjerë potencialë që të investojnë në vendin tonë.

Drejtori i Balfin Group, që tash ka në pronësi kompaninë “NewCo Ferronikeli”, Samir Mane, e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme, ku e njoftuan nga afër me ambientin, prodhimin në “Ferronikel”, si një nga fabrikat më të rëndësishme për Kosovën, po ashtu edhe për ecurinë e këtyre muajve prej se e kanë marrë fabrikën në pronësi.

“Po ashtu diskutuam edhe planet për të ardhmen për një bashkëpunim më të madh si me qeverinë lokale por edhe atë qendrore”, u shpreh Mane.

Më pas kryeministri i Haradinaj i shoqëruar nga Presidenti i Grupit Balfin, Samir Mane, dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, vizitoi departamentin e prodhimit ku pa nga afër procesin e prodhimit dhe nga përfaqësuesit u njoftua me procesin e punës dhe përpunimit të metalit në këtë fabrikë.

Kryeministri Haradinaj, po ashtu ka vizituar edhe mensën e Ferronikelit, ku ka drekuar bashkë me punëtorët e kësaj fabrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekonomia e Kinës u rrit me ritmin më të ngadalshëm…