Haradinaj: Jemi përcaktuar që prodhuesve të vendit t’iu japim më shumë përkrahje

11 shkurt 2019 | 16:27

“Jemi përcaktuar që ky vit të jetë viti i ekonomisë, i prodhuesve, përpunuesve dhe kompanive të vendit, që atyre t’iu japim më shumë siguri, besim, e në raste të caktuara edhe përkrahje kur ka mundësi”, kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në kompaninë “Gacaferi” në Pejë, e cila bën përpunimin e drurit dhe prodhimin e mobileve.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj u prit nga pronari Naim Gacaferi me bashkëpunëtorë, nga i cili është njoftuar për punët, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet kompania, e cila ka traditë rreth 60 vjeçare. “Jam rritur me emrin Gacaferi dhe nuk ka dikush në Kosovë që nuk e di për kompaninë “Gacaferi”. Janë njerëz të respektuar jo vetëm në Pejë, e në këtë trevë, por prodhimet e kësaj kompanie e kanë marrë besimin edhe të tregjeve të jashtme, si në Zvicër, Gjermani, etj”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se tani prodhuesit tanë e kanë më të lehtë të punojnë, meqë lënda e parë dhe pajisjet janë të liruara nga taksa dhe pikërisht në frymën e këtyre lehtësirave po zhvillohet edhe kjo vizitë, për të parë nga afër mundësitë për përkrahjen e bizneseve vendore.

Kurse, pronari Naim Gacaferi, falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën, duke thënë se mbështetja e tij për bizneset vendore është ndihmë e madhe.

“Vitin e kaluar kemi pasur ngritje afër 30 për qind me eksport, ndërsa këtë viti presim që të realizojmë deri në 45 për qind”, ka deklaruar Gacaferi.

Gacaferi ka të punësuar rreth 50 punëtorë dhe përveç tregut vendor, kjo kompani eksporton prodhimet e saj edhe në vendet të ndryshme të Evropës.

Vizita e Kryeministrit Haradinaj në fabrikën “Gacaferi” po zhvillohet në vazhdën e vizitave për të mbështetur dhe fuqizuar sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit, në kuadër të vitit ekonomik, i shpallur nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Operacionet më të suksesshme financiare të Venezuelës në vitet e…