Haradinaj: Mbretëria e Bashkuar ka luajtur rol të rëndësishëm mbështetës për Kosovën

16 maj 2019 | 11:26

“Përgjatë viteve Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm mbështetës për Kosovën, tani ky bashkëpunim ka kaluar në një nivel tjetër të partneritetit bilateral dhe për këtë jemi të lumtur”, kështu ka thënë kryeministri Haradinaj, pasi priti në takim Andrew Mitchell, Komisionerin e Tregtisë për Evropë të Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar komisionerin Mitchell për të arriturat e vendit, veçmas në plotësimin e infrastrukturës ligjore në fushën e ekonomisë, siç është rasti për Ligjin e Investimeve strategjike, që ka krijuar një klimë të re të të bërit biznes në vend dhe një mundësi më të mirë për të tërhequr palët e jashtme për investime.

Përveç kësaj, kryeministri Haradinaj ka potencuar faktin që Kosova ka një ofertë të mirë për investitorët e huaj, që janë resurset humane dhe infrastrukturore, të cilat ofrojnë kosto të arsyeshme të operimit dhe tërheqjes së investimeve të huaja dhe, gjithashtu taksën zero për tregun evropian, politikat fiskale më të mirat në rajon dhe rritjen më të madhe ekonomike në rajon, prej 4.7 për qind.

“Krahas adresimit të këtyre mundësive për bizneset e Mbretërisë së Bashkuar, këtë platformë investive e kemi ofruar edhe për diasporën tonë, bizneset që udhëhiqen nga ta, për të drejtuar investimet e tyre nga Kosova”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar së Kosova ka treg potencial për të ofruar edhe në fushën e minierave, telekomunikacionit, energjisë, prodhimit, turizmit dhe fusha të tjera, siç janë fusha e IT-së dhe shërbimeve.

Kryeministri Haradinaj përmendi faktin që Kosova ka përparuar në krijimin e start-up kompanive, të cilat janë duke operuar nga Kosova për në vendet e tjera të botës, veçmas në fushën e shërbimeve dhe ky model do të mund të shërbente për të mirë, që edhe Mbretëria e Bashkuar të investonte në këtë drejtim në vendin tonë.

Komisioneri Andrew Mitchell në këtë takim tha se interesi i Mbretërisë së Bashkuar është se si mund të krijojnë kushte për rritjen e investimeve nga kompanitë e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë në mënyrë që të fuqizojnë më shumë partneritetin ekonomik me Kosovën.

Pjesë e takimit ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në rend dite të seancës së sotme plenare, janë edhe…