Haradinaj nuk do të jetë deputet, ja deklarata e tij

15 tetor 2019 | 21:17

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, duke i falënderuar 100 mijë votuesit e tij si kandidat për kryeministër, ka thënë se ulësen e tij do t’ia lëshojë kolegëve të tij.

Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”, ka uruar që sa më parë të ndodhë konstituimi i institucioneve.

“Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyertë e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë i tij:

Tani që po përmbyllet ky cikël zgjedhor, dua që të shprehë mirënjohjen time të thellë për secilën nga mbi 100,000 votat e besuara nga Ju, për mua si kandidat për Kryeministër.

Përjetësisht falënderues!

Do të vazhdoj të mbetem besnik ndaj vullnetit tuaj politik, besimit që ma keni dhënë dhe përkrahjes së vazhdueshme e të pakursyer për tash e 20 vite, përgjatë të gjitha proceseve që ka kaluar vendi.

Fati im personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdoj punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndroj në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës.

Uroj që sa më parë të kemi konstituim të institucioneve, me të njejtën pjekuri politike siç e zhvilluam këtë proces zgjedhor.

Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyertë e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis.

Ua kam borxh rikthimin e fuqishëm të një Aleance të pjekur, të strukturuar mirë, me kuadro të reja, gjithsesi me rrënjë të forta thellë në tokën e Kosovës.

Përgjithmonë i juaji, sa herë kërkon vendi e populli.

Ramush Haradinaj

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka folur për herë të…