Haradinaj-Stublla: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, garanci për stabilitetin e rajonit

08 dhjetor 2020 | 16:28

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar të martën një takim të frytshëm e shumë miqësor me anëtarët e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, kryesuar nga Mimi Kodheli, e cila sapo është zgjedhur edhe zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale politike në Kosovë dhe rajon si dhe për nevojën e bashkërendimit të politikës së jashtme në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, duke avancuar interesat strategjike të të dyja vendeve si shtete të cilat rrugëtimin euroatlantik e kanë të paalternativë.

Duke marrë për bazë përvojën e gjatë në fushën e mbrojtjes, si ish-ministre e Mbrojtës dhe si kryetare e delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tema kryesore në këtë takim ishte avancimi i integrimit të Kosovës në NATO dhe mbështetja që në këtë drejtim mund të ofrojë Shqipëria dhe Kodheli në veçanti, tani edhe si zëvendës presidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka thënë se Kosova duhet të fillojë përgatitjet për avancimin e rrugës integruese të Kosovës në NATO si një nga top prioritetet e saj të politikës së jashtme dhe të vazhdojë rrugën drejt integrimit të plotë euroatlantik.

Në këtë kontekst, ajo ka vlerësuar rolin e NATO-s në Kosovë dhe praninë e saj në rajon si ofrues i sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ministrja Haradinaj-Stublla, ka vlerësuar punën ndërinstitucionale midis shteteve, duke marrë si shembull reagimin e shpejtë si sot një vit më parë në tragjedinë e tërmetit, të Ministrisë së Mbrojtës të Kosovës dhe pjesëtarëve të FSK-së, që dëshmuan përgatitje të lartë, kapacitete profesionale dhe gatishmëri për t’u përballë me sfida të tilla.

“Republika e Shqipërisë është partneri ynë i natyrshëm strategjik dhe një shtet simotër, thellimi i marrëdhënieve midis dy shteteve tona duhet të jetë në nivel mbi atë bilateral, në veprimtarinë e përbashkët për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që janë”, ka thënë ajo, duke vlerësuar rolin e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë në mbështetje të nismave dhe proceseve lidhur me Kosovën.

Duke folur për procesin integrues të Shqipërisë, ministrja Haradinaj-Stublla ka thënë se pret që procesi i integrimit në BE për Shqipërinë të hapet shpejt dhe të hapë perspektiven konkrete edhe për Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti amerikan Anthony Fauci, ka paralajmëruar për rritje të rasteve…