Hashani: Pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh mund të mbyllet

25 shkurt 2024 | 10:49

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë që nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00. Kjo për shkak se një pediatre do të dalë në pension gjatë këtij muaji.

Ndërkaq, si pasojë e mungesës së pediatërve të specializuar dhe në bazë të udhëzimit administrativ, në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor, nuk mund të ketë zëvendësime të reja.

Kështu thotë kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani.

Ai tregon se parashihet që pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh të mbyllet si njësi, derisa tregon se aktualisht janë tre pediatër specialistë dhe një shefe e pediatrisë, e që sipas tij, në asnjë rrethanë nuk mund t’i mbulojnë dy ndërrime.

“Në konceptin e mjekësisë familjare të paraparë që nga viti 2000, nuk parashihet që në kujdesin parësor të ketë specializime të tjera. Me përjashtim të mjekësisë familjare, pra të mjekut familjar, të radiologut në vendet ku ka radiografi ose ku bëhen incizimet imazherike, stomatologët dhe ata të preventivës. Gjithashtu edhe në vendet ku ka maternitete, në qendrat e mjekësisë familjare, që janë të inkorporuara edhe maternitetet, aty ka gjinekologë dhe pediatër”.

“Sa i përket pediatrisë tek ne, ne veç kemi njoftuar, meqë një pediatre tani del në pension në shkurt, dhe kemi njoftuar që nga fillimi i këtij viti, që më 1 mars do të fillojë që njësia e Pediatrisë, e cila është në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, do të punojë nga ora 07:00 deri në ora 15:00, me qëllim që të vazhdohet t’u ofrohet shërbim pacientëve. Kjo për shkak të mungesës së pediatërve. Ne momentalisht i kemi tre pediatër specialistë dhe një shefe në pediatri që në asnjë rrethanë nuk mund ta mbulojmë me dy ndërrime dhe me shtatë ditë të javës”, tha Hashani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Jugut regjistroi një numër rekord të shtetasve rusë…