Haskuka viziton familjen Beluli, së cilës i është rindërtuar muri mbrojtës i shtëpisë

28 dhjetor 2020 | 17:13

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri (DES), Faruk Dakaj, kanë vizituar banorin e fshatit Randobravë (Qëndresë), Abas Beluli, të cilit i është rindërtuar muri mbrojtës i shtëpisë së tij, në kuadër të projektit “Furnizim me material ndërtimor për intervenim në raste emergjente”.

Muri mbrojtës i oborrit të shtëpisë së Abas Belulit ishte rrënuar gjatë punimeve për zgjerimin e rrugës në lagje nga qeverisja e kaluar lokale.

Ky problem, përveçse rrezikonte shtëpinë e familjes Beluli nga shembja, po ashtu rrezikonte edhe jetën e banorëve të lagjes ngaqë gjasat e rrëshqitjes së dheut gjatë reshjeve ishin të larta. Me këtë rast, kryetari Haskuka ka theksuar se në këtë mënyrë kanë vepruar edhe në shumë lokacione të ndryshme të Prizrenit, ku vetëm gjatë dy vjetëve të fundit, janë ndërtuar gjithsej 328 metra mure mbrojtëse për t’i parandaluar shembjet e dheut si dhe janë vendosur gjithsej 463 metra gypa betoni në kanale të ndryshme të rrjedhjes së ujit. Po ashtu, kryetari Haskuka ka deklaruar se kështu do të vazhdojnë të punojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur të…