Haxhi Krasniqi dhe Halil Kastrati shpallen “Qytetar Nderi” të Skenderajt

30 tetor 16:06

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari nëpërmjet një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka bërë me dije se kampioni i botës në boks, Haxhi Krasniqi është shpallur “Qytetar Nderi” i Skenderajt.

Krasniqi e ka marrë këtë epitet pas triumfit në kategoritë WBO dhe IBO duke mposhtur Dominic Boesel javë më parë. Triumfin e tij, Krasniqi ia dedikoi shtetit të Kosovës, si dhe 56 dëshmorëve të rënë të familjes Jashari. Poashtu “Qytetar Nderi” është shpallur edhe humanisti Halil Kastrati.

Postimi i plotë i Bekim Jasharit:

Të nderuar qytetarë,

Me kënaqësi ju njoftoj që sot me propozimin tim Kuvendi i Komunës ka shpallur “Qytetar Nderi”, humanistin, hoxhën e nderuar, Halil Kastrati, si dhe kampionin e botëror në boks, Haxhi Krasniqi.

Hoxha, Halil Kastrati është shpallur “Qytetar Nderi” për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhënë familjeve në nevojë në komunën tonë, përmes ndërtimit të mbi 60 shtëpive, dhurimit të banesave, përkrahjes financiare për shërim dhe me pako ushqimore për kategoritë sociale.

Humanisti, Halil Kastrati, themeluesi i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, ka kryer dhe po kryen shumë punë e projekte që realisht është dashur t’i kryej shteti jonë, andaj i jemi përherë mirënjohës për angazhimin e tij human dhe të donatorëve të shumtë të shoqatës së tij.

Kampioni i botës në boks, Haxhi Krasniqi, është shpallur “Qytetar Nderi”, për kontributin e dhënë në ngritjen e imazhit të shtetit tonë në botë. Ai pas fitores, titullin kampion ia dedikoj shtetit tonë, në veçanti 56 dëshmorëve të rënë të familjes Jashari.

Ndarja e çmimeve për këto dy personalitete të çmuara do të bëhet në seancën solemne që do të mbahet me rastin e 28 Nëntorit, festës së Flamurit, ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes në skenë të UÇK-së.
Urime!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të premten është mbajtur…