Haxhiu: Alush Gashi i shërbeu vendit në periudha të rëndësishme të historisë sonë
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të prof. dr. Alush Gashit, mjekut, profesorit universitar, veprimtarit politik dhe nënshkruesit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Ajo ka thënë se prof. dr. Gashi i shërbeu vendit në shumë fusha dhe në periudha të rëndësishme të historisë sonë. “Si profesor i Anatomisë, specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe ish-dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ai dha kontribut të çmuar në arsimin e lartë dhe në shëndetësinë e Kosovës. Në jetën publike, ai shërbeu si deputet i Kuvendit të Kosovës. Me angazhimin e tij politik dhe institucional, ai ishte pjesë e proceseve që e çuan Kosovën drejt lirisë dhe shtetësisë së Republikës. Ngushëllime familjes Gashi, miqve, bashkëpunëtorëve, komunitetit akademik e mjekësor dhe të gjithë atyre që e njohën e punuan me të. I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Alush Gashin”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.



