Haxhiu pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në fokus rruga euroatlantike e Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të udhëhequr nga nënkryetari i Asamblesë, Alberto Losacco, dhe kryetari i Komisionit Politik, Sverre Myrli.
Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit, Ardian Gola, si dhe deputetet Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Besa Kabashi-Ramaj, anëtare të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe avancimin e rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, në rajon dhe në Evropë.
Kryetarja Haxhiu theksoi se për qytetarët e Kosovës, NATO-ja lidhet pazgjidhshmërisht me vitin 1999, kur ndërhyrja e Aleancës ishte vendimtare për t’i dhënë fund luftës, masakrave dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Serbisë.
Ajo shprehu mirënjohjen e palëkundur të Kosovës për ndërhyrjen dhe mbështetjen e NATO-s, duke theksuar se sot Kosova synon të dëshmojë gatishmërinë për të marrë më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë e përbashkët.
Bashkëbiseduesit trajtuan gjithashtu situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë dhe rëndësinë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, si dhe zhvillimet e sigurisë në Evropë, me theks të veçantë te agresioni rus kundër Ukrainës. Kryetarja
Haxhiu rikonfirmoi mbështetjen e Kosovës për popullin ukrainas në luftën e tij për liri.
Në takim u diskutua edhe për sfidat që paraqesin dezinformimi dhe kërcënimet hibride, si dhe për nevojën e bashkëpunimit për mbrojtjen e institucioneve demokratike, besimit të qytetarëve dhe stabilitetit rajonal.
Kuvendi i Kosovës ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s që nga viti 2024.
Palët diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit parlamentar përmes kontakteve të rregullta ndërmjet komisioneve, shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare në sektorin e mbrojtjes, si dhe për sigurinë e infrastrukturës kritike.
Kryetarja Haxhiu theksoi përkushtimin e Kosovës për të avancuar drejt Partneritetit për Paqe dhe anëtarësimit në NATO, duke vënë në pah rëndësinë e reformave të brendshme dhe mbështetjes së vendeve aleate në këtë proces.
Në përfundim, ajo falënderoi delegacionin për vizitën dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar.



