Protestat në Shqipëri, Rama: Do të jem në krye të detyrës deri në ditën e fundit të kontratës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj protestuesve që kërkojnë largimin e tij nga detyra, duke deklaruar se ata nuk kanë autorizim të flasin në emër të popullit, pasi, sipas tij, qytetarët shprehen përmes votës.
Në reagimin e tij, Rama e ka cilësuar protestën si një “mishmash” dhe ka kritikuar gjuhën e përdorur nga protestuesit, duke i akuzuar se nuk respektojnë standardet e komunikimit dhe dialogut.
“Ky mishmash ka një devizë përbashkuese: ‘Ne jemi populli, ne s’e durojmë dot më këtë sistem, s’e duam më këtë qeveri, s’e pranojmë më këtë kryeministër. Jep dorëheqjen, bindju popullit!’ Ky mishmash s’ka asnjë lidhje me popullin dhe asnjë autorizim për të folur në emër të popullit, sepse populli flet vetë me votën e tij. Liria dhe e drejta e tyre, e atyre që duan t’u imponojnë të tjerëve bindjet e tyre, mbaron aty ku nis liria e të tjerëve. Një turmë që në fjalorin e vet bazik s’ka asnjë fije respekti për asnjë standard komunikimi, formë dialogu apo ballafaqimi”, ka deklaruar Rama.
Më tej, kryeministri shqiptar ka theksuar se do të vazhdojë të ushtrojë detyrën deri në përfundim të mandatit të tij.
“Unë jam dhe do të jem në krye të detyrës sime deri në ditën e fundit me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë”, ka thënë Rama.



