Këto janë të gjitha vendimet e miratuara në mbledhjen e sotme të qeverisë
Qeveria e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e tetë të rregullt, në të cilën ka miratuar katër projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit juridik me Suedinë dhe Belgjikën, si dhe një sërë raportesh dhe vendimesh të tjera.
Ndër projektligjet e miratuara janë marrëveshjet me Mbretërinë e Suedisë për ekstradimin, ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale dhe transferimin e personave të dënuar.
Po ashtu, është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës.
Sipas njoftimit të qeverisë, këto marrëveshje synojnë forcimin e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, avancimin e sundimit të ligjit dhe lehtësimin e procedurave në çështjet penale ndërmjet shteteve.
Në mbledhjen e mbajtur më 28 tetor, qeveria ka miratuar edhe Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, si dhe Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit.
Po ashtu, qeveria ka vendosur t’i propozojë Kuvendit emërimin e 15 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, nga fusha të ndryshme, përfshirë psikologjinë, ekonominë, historinë, gjuhësinë, matematikën dhe inxhinierinë.
Në fushën e infrastrukturës, janë miratuar vendime për shpronësime që lidhen me projekte rrugore në Prizren dhe Klinë. Gjithashtu, është shqyrtuar më tej kërkesa për shpronësim për projektin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, në segmentin Banullë–Bresalc.
Ndër vendimet e tjera, qeveria ka miratuar kërkesën e Komunës së Prizrenit për ndarjen e 1 milion e 489 mijë e 670 eurove për projektin “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”, përmes Klauzolës së Investimeve.
Qeveria ka bërë me dije se vendimet janë marrë në mbledhjen e saj të tetë të rregullt, të mbajtur në Prishtinë.



