Haziri e Veliu nuk shkojnë në mbledhjen e LDK-së ku pritet që Vjosa Osmani të nominohet për kryeministre

24 gusht 2019 | 12:17

Lutfi Haziri e Agim Veliu nuk po marrin pjesë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ka filluar në orën 11:00, e ku pritet që Vjosa Osmani të nominohet për kryeministre nga radhët e partisë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në fund të shtatorit apo në fillim të muajit tetor.

Duket që nominimi i mundshëm i Vjosa Osmanit, ka bërë që kreu i Gjilanit dhe ai i Podujevës të hidhërohen e të mos marrin pjesë në këtë mbledhje të Kryesisë së partisë.

Para zgjedhjeve të brendshme, Haziri e Veliu patën deklaruar se kanë pretendime për t’u zgjedhur edhe kryetar të partisë, megjithatë në fund partia ishte pajtuar ta rizgjidhte Isa Mustafën si emër konsensual.

Përveç Lutfi Hazirit e Agim Veliut, në mbledhje janë duke marrë pjesë të gjithë anëtarët tjerë të Kryesisë së LDK’së.

Në mbledhje me shumë gjasë do të diskutohet edhe çështja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë Ismet Beqiri në një përgjigje dhënë dje gazetës “Express” ka deklaruar se parimisht do të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Afër 6 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit…