“Hegjemonët dhe autokratët kanë zënë peng paqen”

02 janar 2023 | 10:34

Nga Dr. Edita Tahiri, ish-zëvendëskryeministre dhe kryenegociatore

Bota është udhëkryq! Nga një krizë në tjetrën shkoi ky vit, madje as gëzimi për shkuarjen e pandemisë globale nuk zgjati shumë. Zhvillime dramatike përshkuan pjesë të ndryshme të botës. Ngjarja më dramatike, lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës, që filloi në muajin shkurt solli pamje tmerruese të tragjedisë së luftërave shkatërrimtare të cilat ende nuk i kishim harruar nga luftërat e fundit në Ballkan dhe gjenocidi serb në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci. Kur përfunduam luftërat në rajonin tonë, me zhbërjen e ish-Jugosllavisë dhe lindjen e shteteve të reja përfshirë shtetin tone Kosovën, pak kemi besuar se aq shpejt do të shohim një luftë të re në kontinentin tonë. Ra iluzioni i paqes së përhershme, ra dhe teoria e ‘fundit të historisë’ që pra shikoi se supremacia e vlerave të demokracisë liberale dhe rënia e Bashkimit Sovjetik nuk krijon shkaqe për luftëra ( siç pohonte Fukuyama), po ashtu u cenua besueshmëria se çdo 50 vjet ndodhin luftëra të mëdha/botërore. Bota nuk hyri në luftë botërore, por realisht bota është në mes luftës së Ukrainës dhe luftës së mundshme botërore. Debati akademik ka për temë qendrore dilemën “ se a do të ketë apo nuk do të ketë luftë botërore, apo a do të ketë luftë nukleare ose më tej si të parandalohet lufta botërore?. Prej Kissingjerit deri te profesori im i Universitetit të Harvardit JOseph Nye, akademikë tjerë kanë shkruar dhe po vazhdojnë për këtë temë të rëndësishëm duke qenë se ardhmja është e paqartë dhe e pasigurt.

Por çfarë ndodhi me botën pse dhe si erdhëm deri në këtë gjendje? Ku humbi rruga e botës? Ishim në një rrugë demokracie, si përfunduam në një rrugë plotë hegjemonë e autokratë. Si u braktisën vlerat e liberal demokracisë ndërsa nacionalizmi dhe populizmi dolën më agresiv duke rikthyer agjendat hegjemoniste gjeopolitike që ishin menduar që i takonin të kaluarës.

Lufta gjeopolitike ruse në Ukrainë

Lufta agresore ruse në Ukrainë është Luftë gjeopolitike me qëllime për përfitime gjeopolitike, të ekspansionizmin rus në toka ukrainase, pas pushtimit të Krimesë dhe dy krahinave. Në fakt, Rusia asnjëherë nuk ndaloi aspiratat e saja hegjemoniste dhe asnjëherë nuk u pajtua me humbjen që pësoi me përfundimin e Luftës së ftohtë, pas rënies së ish-Bashkimt sovjetik. Jo vetëm me pretendime territoriale ndaj Ukrainës por madje deri në Ballkan dhe në kërkim të qasjes ne detin Mesdhe përmes detit Adriatik. Synimet gjeopolitike të Rusisë gjatë luftës së Ukrainës nxorën në pah projekte gjeopolitike ruso-serbe të koduara me termet ‘bota ruse’ dhe ‘bota serbe’, që në thelb përkufizojnë ‘Serbinë e Madhe’ dhe ‘Rusinë e territoreve te ish-bashkimit sovjetik’. Doktrina gjeopolitike e Rusise, ‘Euro-Asia’ e ka për qëllim ti kundërvihet doktrinës gjeopolitike perëndimore të ‘Heart-Landit’. Pjesë thelbësore e së cilës është Ballkani(Evropa Juglindore), që thekson se [kush e kontrollon Evropën Juglindore e kontrollon botën’. Kjo është arsyeja kryesore që Serbia shërben si “Kali i Trojës” së Rusisë në Ballkan që ka për mision të vazhdoj të përçoj ndikimin rus dhe kontrollin e Ballkanit. Për këtë arsye, analistë të njohur nuk e përjashtojnë mundësinë e zgjerimit të luftës së Ukrainës në Ballkan, për të cilën Serbia kujdeset ta mbaj tensionin lartë në rajonin tonë, sikur që ishin tensionet në veri të Kosovës për disa javë të dhjetorit.

Mirëpo, një pengesë e madhe për aspiratat hegjemoniste ruse është perëndimi, SHBA dhe NATO nuk do të lejojnë realizimin e interesave gjeopolitike ruse ne Ballkan, rrjedhimisht nuk do të lejojnë krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Aktivizimi gjeopolitik i Perëndimit – zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor

Agjenda gjeopolitike kishte kohë që nuk zihej në gojë të politikanëve perëndimor, ndërsa BE-ja thellonte dilemat e zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor duke lënë atë si hapësirë të lirë për lojërat e Rusisë ku më vonë Kina hodhi hapa të saja dhe disa aktorë tjerë jo-perëndimor.  Ndërkohë, Serbia e përkrahur nga Rusia dhe pothuajse e papenguar ndërhynte dhe destabilizonte shtetet në rajon, si Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi, duke çuar para projektin e ‘Serbisë së Madhe’, me kërcënime të hapura për ta ndarë Republikën Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina si dhe për ta ndarë pjesën veriore të Kosovës. Thirrjet e vendeve të Ballkanit perëndimor për integrimin në BE merrnin premtime verbale, pavarësisht se integrimi evropian konsiderohej si projekt paqësor në dobi të paqes në Ballkan por edhe në Evropë.

Mirëpo, situata ndryshoi. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës nxiti zgjimin gjeopolitik të perëndimit. Kishte ardhur koha që luftës gjeopolitike ruse perëndimi t’i përgjigjej me vendime gjeopolitike. zgjerimi i NATO-s dhe BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë ishte i domosdoshëm, përfshirë këtu në radhë të parë Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, Finlandën, Suedinë dhe Ukrainën, jo pa pengesa por që duhen përballuar, pavarësisht që Serbia refuzon NATO-n. Gjeopolitika pra zuri vendin e duhur në kokat e politikanëve evropian dhe euro-atlantik dhe në dokumenteve relevante. Angazhimi i shtuar i dyshes gjermano- franceze hapi dyert e zgjerimit të BE-së. Hapja e dyerve nuk u bë e plotë. U krijua një mekanizëm shtesë, frustrues, një dhomë pritje për anëtarësimin e vendeve aspirantë, e njohur si komuniteti politik evropian, krijesë franceze. Përkundër kësaj Zgjerimi do të jetë një forcë stimuluese për reformat evropiane të shteteve aspirantë, do të lëviz proceset drejt paqes, demokracisë, sundimin të ligjit duke i afruar me BE-në vendet aspirantë. Nga rezultatet e para janë, hapja e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë, Maqedoninë veriore dhe së fundi statusi kandidat për Bosnjën, dhe liberalizimi i vizave për Kosovën që erdhi pas një dekade padrejtësie ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po ashtu Kosova bëri aplikimin për anëtarësim në BE, pavarësisht sfidave që mund të dalin nga vendet mos-njohëse, ky proces ka rëndësi politike dhe gjeopolitike për Kosovën dhe vet Evropën.

Por, partnerët perëndimor nuk arritën të detyrojnë Serbinë të heq dorë nga politika e sajë dualiste ‘edhe me Rusinë edhe Perëndimin, Serbia do të vazhdoj të jetë problemi dhe destabilizuesi i Ballkanit; do jetë në anën ruse dhe do marrë urdhëratë e Putinit dhe në vazhdimësi do ta rrezikoj Ballkanin. BE-ja nuk është dhe nuk duhet ta toleroj ma Serbinë, duhet ta detyrojë të vendos sanksione kundër Rusisë, ose në të kundërtën të ndërpres negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE. Edhe ashtu BE-ja nuk e ka unitetin e plotë në politikat e jashtme nga vende mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Derisa destruksionet e Serbisë vazhdojnë në Ballkan, ndërsa vet perëndimi ka mbetur në pozicion dualist ndaj Serbisë, herë duke e përkëdhelur dhe herë duke e ndëshkuar, nuk mund të presim politika efikase për paqen dhe sigurinë në rajonit siç ishte situata e tensionuar shpërthyese ne veri të Kosovës për gati tre javë gjatë dhjetorit.

Një unitet dhe vendosmëri më e madhe nga BE-ja për zgjerim do ta bënte Ballkanin Perëndimor më stabil, kështu ringjallja e procesit të Berlinit dha rezultate, fuqizoi bashkëpunimin rajonal ndërsa nxori nga loja projektin hegjemon ruso-serb të njohur si ‘Ballkani i Hapur.’ BE por edhe NATO kanë mundësi të ngushtojnë hapësirën për tensione nacionaliste si dhe t’i ndalojnë ndërhyrjet hegjemone të Serbisë ndaj vendeve në rajon të frymëzuara dhe porositura nga Putini dhe agjenda gjeopolitike ruse.

Drejt paqes së qëndrueshme në Ballkan – plani franko-gjerman, njohja reciproke de jure dhe Traktati i Elysee-s

Një marrëveshje finale paqësore mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin amerikan dhe evropian duhet të arrihet sa më shpejt në mënyrë që të vendoset një paqe e qëndrueshme në Ballkan. Plani Franko-Gjerman nuk e ka njohjen reciproke mes dyja shteteve Kosovës dhe Serbisë, prandaj nuk duhet të pranohet. Një marrëveshje e pranueshme duhet të përfshijë njohjen reciproke direkte, de jure mes dyja shteteve , që përcakton fajësinë e Serbisë për luftën gjenocidale në Kosovë dhe obligimin për dëmshpërblimet për luftën ndaj Kosovës, sipas modelit të Traktatit të paqes mes Francës dhe Gjermanisë, e njohur si Traktati i Elysee-s, sipas së cilit Gjermania ka marrë përsipër fajësinë dhe dëmshpërblimet e luftës ndaj Francës. Një marrëveshje e tillë mund të sjellë një paqe të qëndrueshme në Ballkan dhe midis dyja shteteve. Kjo është e vetmja rrugë për të hapur kapitullin e paqes pas luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë, në këtë mënyrë mbyllet kapitulli i armiqësisë mes Kosovës dhe Serbisë, madje dhe më gjerë mes shqiptarëve dhe Serbëve.

Hegjemonët dhe autokratët në rritje – paqja e zënë peng

Në planin politik, Lufta në Ukrainë është luftë kundër rendit aktual botëror, kundër perëndimit dhe kundër sistemit të liberal demokracisë. Me fjalë, tjera kjo është një luftë e Rusisë kundër perëndimit, respektivisht kundër fuqisë parësore dhe ndikimit amerikan. Ndonëse Putini e dinë se nuk mund të rikthej Rusinë aty ku ëndërron, nuk do të ndalet së luftuari.

Ndërkohë, Ballkani tashmë është një zonë e përplasjeve të sistemeve midis demokracive liberale dhe regjimeve autokratike. Putini në Rusi, Vuçiqi në Serbi janë autokratë dhe hegjemonë tipik që mbajnë njërin tjetrin mbi baza të errëta korruptive dhe kriminale. Por në zinxhirin e autokratëve është numër më i madh i liderëve në vende të ndryshme të botës, të cilët mbahen nga nacionalizmi, korrupsioni dhe hegjemonizmi. Të tillëve u interesojnë interesat e atyre të cilëve u shërbejnë, nuk pyesin për paqen as për popujt, ndërsa pa hezitim refuzojnë vlerat dhe interesat perëndimore dhe sistemet demokratike. Praktikisht, paqja është zënë peng nga të tillë.

Derisa kriza në botë po rritet dhe po bëhet gjithnjë më komplekse. Bota ka nevojë për rishpikjen e një strategjie globale për zgjidhje paqësore dhe të qëndrueshme në botë . Duhen të bëhen ndryshime edhe në paradigmën ekzistuese të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke fuqizuar idealizmin për paqen dhe prosperitetin, diplomacinë e paqes dhe lidershipin transformues që ka qëllime paqësore dhe idealiste.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka thënë se…