Hekurudha e re me trena 120 km në orë

22 tetor 2020 | 15:17

Ka disa muaj që kanë filluar punimet nga një kompani italiane për rehabilitimin e hekurudhës nga Hani i Elezit deri në kufi me Serbinë, në fshatin Leshak. Rehabilitimi i linjës hekurudhore të gjatë 150 kilometra po bëhet me donacione nga Bashkimi Evropian si dhe me kredi.

Banorët që jetojnë afër hekurudhave kanë kërkuar masa më të rrepta të sigurisë kur të fillojnë të qarkullojnë trenat me shpejtësi deri 120 kilometra në orë, raporton “Rel”.

Xhevat Ramosaj, u.d i kryeshefit ekzekutiv në Infrakos, ka thënë se hekurudha do të jetë plotësisht moderne. Gjithashtu, sipas tij, edhe sistemi i informimit do të jetë modern. “Do të jetë plotësisht kompatibil me standardet e BE-së, për këtë arsye bëhet modernizimi që në 30-40 vjetët e ardhshme të mos ketë problem, do të thotë sa i përket kësaj linje hekurudhore”, ka thënë ai.

Ramosaj ka treguar se do të jetë një linjë tërësisht e re sa u përket binarëve, shtresës së poshtme dhe asaj të epërme, pajisjeve sinjalizuese dhe të atyre të telekomunikimit.

Gëzim Qerimi nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave të Kosovës, thotë se modernizimi i hekurudhës dhe shpejtësia me të cilën do të lëvizin trenat në të ardhmen e afërt, do ta bëjnë atraktiv për qytetarët këtë transport.

Sipas tij, kjo hekurudhë do të ketë ndikim të madh në ekonominë e Kosovës për shkak të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave.

Kosova ka rreth 330 kilometra hekurudhë, por përveç asaj në drejtim të Pejës dhe Hanit të Elezit, linjat e tjera hekurudhore janë të dëmtuar dhe nuk janë fare funksionale.

Në ato pjesë ku lëvizin trenat nuk ka fare rrethoja si dhe mungojnë laurat në shumicën e vendkalimeve. Rreth 20 aksidente, ku janë të përfshirë trenat, ndodhin çdo vit në Kosovë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Linga e heshtjes” titullohet libri i ri me poezi i…