Poeti gjilanas Bujar Salihu boton libër të ri

22 tetor 2020 | 15:11

“Linga e heshtjes” titullohet libri i ri me poezi i poetit gjilanas Bujar Salihu, i cili, sipas shtëpisë botuese “Armagedoni”, ka veçanti të shumta gjuhësore dhe tematike. “26 vjet më parë, në moshën 22 vjeçe, një libër me poezi e botoi në dy gjuhë, në shqip dhe në frëngjisht. Pas botimit të librit të parë më 1994, i botoi edhe dy të tjerë dhe, me disa autorë shqiptarë, foli në disa gjuhë pasi disa përgatitës hartuan antologji me poezi shqipe. Veçantitë e tij letrare i kemi vënë re qëmoti, por edhe i kanë zënë ngoje Ali Podrimja, Shaip Beqiri, Mustafë Xhemaili, Arif Molliqi, Faik Shkodra, Xhemail Ahmeti, Nexhat Rexha e ndonjë tjetër që tash s’po na kujtohet. Prandaj, duke pasur veçanti më tepër se disa poetë të tjerë e duke qenë poezia e tij objekt krahasimi me atë të A. Tufës, L. Leshanakut, A. Balës, B. Cufajt, V. Berishës, R. Zekthit, I. Belliut, D. Gashit, M. Mavrajt, Xh. Beqirit, L. Arapit, Rr. Paçarizit, E. Hatibit etj., disa poezi të Bujar Salihut i kemi botuar në revistën Akademia. Me kalimin e viteve, ai duke shtuar veçantitë gjuhësore dhe tematike në poezi e ne duke veneruar krijimet e tij, këtë herë i botojmë këtë libër, i cili një shok tjetër e ka të rrallë. Lexojini të gjitha poezitë e këtij libri, por mos harroni t’i lexoni poezitë Dita jote e fundit, Buka, Eja të pajtohemi, Veshkat e vyshkura, Hija e qershisë, S’e mbajte premtimin, E përvajshme, Puthje, Mbrëmë, Në vend të pasthënies dhe t’i mësoni përmendësh sepse fjalët, fjalitë, figurat, temat dhe motivet e tyre ju duhen shumë në jetën e përditshme”, ka shkruar shtëpia botuese “Armagedoni” në kapakun prapa të librit.

Shënime për autorin

Bujar Salihu (1972) është nga Pogragja e Gjilanit. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan. Në vitin 1990 filloi studimet në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës por, për shkak të rrethanave politike, u detyrua t’i braktisë ato dhe Kosovën. Që nga viti 1992 jeton në Zvicër. Ka botuar përmbledhjet poetike: Në xipat e vetmisë (1994), Më pak se jetë (1997), Skeleti i dallëndyshes (2002). Poezitë e tij janë botuar në disa antologji poetike dhe janë përkthyer në disa gjuhë të mëdha. Është fitues i disa çmimeve letrare. Linga e heshtjes është libri i tij i katërt.

Poezi nga libri i botuar

DITA JOTE E FUNDIT
Tim atit në një përvjetor

Unë kisha bërë mijëra milje fluturimi atë ditë
Dhe po të prisja para Spitalit Amerikan në Prishtinë
Pak para orës dhjetë
Nën sirena të ndjera të solli një autoambulancë

Doktori të pa dhe ishte shumë i prerë:
Spitali ynë është i ri për t’i kuruar sëmundjet me avantazhe të Babait tënd
Nisja drejt Tiranës mund të jetë fatale
Opsion të vetëm e ke Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Kushtet janë të rënda po aty megjithatë kanë aparat dialize
Bëhu gati për të gjitha

Dhe përsëri sirena autoambulanca
Një udhë që më bëhej se po ngushtohej
Qendra Klinike Universitare e Kosovës shpresa e fundit
Po administrata e saj pa fije turpi
Donte të thoshte le të vdesë në livadh ky Mësues i vyshkur
Me kontributet e të cilit ishte ndërtuar edhe ky Spital
Veç dr. Bajgora nuk lëshonte pe
Duhet t’i japim ndihmë edhe këtij qytetari

Baba më bërtiste ta ktheja në shtëpi
Më mirë se të gjitha aparaturat e kishte mësuar diagnozën e vet
Po unë si i pashpirt që isha nuk doja të dëgjoja për lutjet e tij

Ani pse edhe unë i shihja shenjat e vdekjes që i fluturonin sipër
Isha fort i sigurt që ajo mund të ishte dita e fundit e jetës së tij

Klinika Infektive dhe dera e saj e ngushtë që shtratin s’e zinte
Qe stacioni i fundit ku një mjeke e mirë me kompetencë më shpjegonte
Për zhvillimin e hovshëm të metastazave
Më fliste për fshikëzën mëlçinë edhe toksitet në gjak
Derisa Ai merrte frymë thellë
Në ekran shihja frekuencat e frikshme me alarm morti
Motrat në përpjekjen e tyre për t’ia kthyer frymën
Mjeku ngurronte të më thoshte se ndërroi jetë
Në 21:10 ishte çasti kur unë e preka trupin që s’po merrte frymë më

Babo ti ndoshta s’e mësove kurrë që katër qershori nuk ishte dita jote e fundit
Të nesërmen e pritëm me ty dhe shiun kristal që ra qetë tërë ditën në ne
Ka vite që provoj ta zgjidh enigmën e mbretëreshës me kuajt e zënë në betejë
Veç emri yt edhe do ligje të natyrës dalin të mos jenë aspak ekzakte
Për Shpirtin tënd lërmë t’i vë një titull matematik kësaj poezie pa shpirt
Për shembull: “Mësuesi që vdekjen e vet e shtronte si një ekuacion”


BUKA

Buka është e shenjtë bir
Po të ra në tokë
Përulu merre puthe e ngrehe sa më lart
Kurrë mos e shkel as mos e përmbys
Se na mallkon Zoti e na lë pa të
Më thoshte Nëna Plakë

Në verën e vitit 1983 kur ajo s’jetonte më
Ani se unë kurrë nuk e kisha shkelur këshillën e saj
Vendin e kishte kapluar kriza e madhe e bukës

Unë si njëmbëdhjetëvjeçar shkoja të blija bukë
Para furrës boshe me dyer të mbyllura
Bashkë me turmën prisja me orë
Kur piqeshin ato pak bukë
Më shtynte turma më ndrydhte si tulin
Dhe unë kthehesha në shtëpi si kore e thatë
Pa bukë…


VESHKAT E VYSHKURA

Veshka të vyshkura
U konstatua në raportin e biopsisë
Të Klinikës Nefrologjike në Spitalin Universitar të Cyrihut
Shkaqet janë të panjohura
Ndoshta gjithmonë paskam jetuar me etjen tënde

Nefrologu më shkroi një terapi të përjetshme
Dymbëdhjetë miligramë kandesartan esëll
Dhe shumë litra ujë në ditë
Po etja për ty nuk u shuaka dot

HIJA E QERSHISË

Mes shumë pemësh në oborr
Ty të mbaj mend të vogël sa unë pesë vjeç
Nëna thoshte se ke mbirë vetë prej të afshit dhe
E unë gjithmonë doja të besoja
Se ti ke pikur nga qielli në një ditë me shi

Ti u rrite shpejt e unë mbeta i vogli yt
Të doja si nënën
Nën hijen tënde rritesha si dre
Sytë e degët e tua më ruanin nga breshri

Tek rrënjët të buronte uji i ftohtë
Dhe e pija sa herë kisha etje
Jam rritur si zog ndër degët e tua të njoma
Më e bukura e oborrit tim plot pemë
Sa gëzohesha kur t’i shihja lulet e para
Sa e shijoja frytin tënd të parë gjak të ëmbël

PUTHJE

Kisha vite
Që po lëngoja
Në shtratin e vetmisë
Papritmas
Ti erdhe
E butë si drenushë
Më puthe
Ndjeva se po ma ktheje
Shpirtin
Kur hapa sytë
Ti ishe nisur
Në ikje
Vetëm copëza dritash
Pashë të vinin
Si vetëtima pas teje

Librin, nga dita e nesërme, e gjeni në librarinë “Dukagjini” dhe “Artini” në Prishtinë, kurse nga java e ardhshme në librarinë “Altera” në Prizren, “Tomori” në Gjakovë, “Rilindja” në Ferizaj.

https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/10/Epoka-22-tetor-2020.pdf

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, sot rreth orës 14:00…