HISTORIAN NUK TË BËN VETËM MOSHA DHE DIJET E FITUARA; DUHET DHE NJË ZEMËR E ZJARRTË, NJË MENDJE E QARTË, DHE NJË IDEAL MADHOR!

30 tetor 2022 | 19:56

(Një koment i shkurtër për replikën e zotit Ismet Sylejmani me prof.dr. Zekeria Cana, lidhur me shkrimin e këtij të fundit “Ndërmjet pabesisë dhe tradhëtisë kombëtare’’)

Gjon  BRUÇI

Gjatë një vizite në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës në vitin 2018, mësova një detaj shumë të  rëndësishëm, të cilën ne nuk e kemi ditur në gjërësinë e rëndësinë e duhur për kohën dhe për të ardhmen. Në vitet tetëdhjetë, në takim me Enver Hoxhën, vijnë një grup të rinjësh revolucionarë nga Kosova. Ata i kërkuan Enver Hoxhës mendimin, këshillën dhe ndihmën konkrete për ngritjen e një organizate politike marksiste – leniniste (nën shembullin e PKSH gjatë LANÇ), e cila do të organizonte e drejtonte Luftën Çlirimtare të Kosovës.

Enver Hoxha, me një dashuri e respekt të veçantë, u tha të rinjëve nga Kosova:

“Unë mendoj se ju duhet të krijoni një Front apo një Lëvizje Popullore, e cila të përfshijë masën e qytetarëve nga të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe brenda saj, mund e duhet të keni dhe një bërthamë me njerëz të organizuar politikisht, që do të udheheqë këtë lëvizje drejt Çlirimit të trojeve tona në Jugosllavi”.

Siç vertetoi historia e viteve nëntëdhjetë, që nga ky moment takimi me Shqiptarin e Madh Enver Hoxha, lindi LPRK (Lëvizja Popullore Revolucionare e Kosovës), mbi bazën e së cilës do të lindëte UÇK-ja e famshme, e cila bëri të mundur çlirimin e trojeve shqiptare të krahinës së Kosovës nga pushtuesi shekullor serbo-sllav.

Nëse kemi parasysh këtë detaj, do të kuptojmë si duhet edhe shkrimin e Ilir Hasanit, pseudonimi i I. Sylejmanit, ish anëtar i LPRK dhe luftëtar i UÇK-së, i cili qysh në vitin 1991 kur ishte djalë i ri, i kundërvihet Profesor Dr. Zekeria Cana, me argumente asgjesuese, ndaj pretendimeve sa absurde dhe mashtruese të këtij të fundit, ndaj PKSH dhe Enver Hoxhës, në relacion me fatet e popullit shqiptar në trojet e tij, nën pushtimin shekullor serbo-sllav.

Komentit që i bën zoti Xhevat Zekaj, shkrimit replike me Prof. Dr. Zekeria Cana të Ismet Sylejmanit, ndryshe Ilir Hasani, në vitin 1991, nuk mund t’i lëvizet asnjë presje, ndaj unë do të dëshiroja të shtoja vetëm pak fjalë:

Ismet Sylejmani, ose Ilir Hasani në vitet 1991, duhet të ketë qenë shumë i ri, student ndoshta, por me siguri gjithashtu edhe anëtar i LPRK, çka vertetohet edhe me pjesëmarrjen e tij si Luftëtar në UÇK. Por megjithëse i ri, ai replikon me sukses me një professor “me mjekër” të asaj periudhe, duke na vertetuar faktin se “Historian” nuk mund të bëhesh vetëm me vite moshe dhe me dije të fituara për këtë arsye. Duhet edhe një zemër e zjarrtë, një mendje e qartë dhe një ideal madhor, pa të cilin nuk mund të arrish nivelin e historianit, edhe nëse i vë emrit përpara togfjalëshin “Profesor, Doktor”!

Ismet Sylejmani – Ilir Hasani, duke qenë në radhët e Lëvizjes popullore Revolucionare të Kosovës dhe më vonë, edhe në radhët e UÇK-së, arriti që jo vetëm të njohë si duhet Historinë e popullit të tij, por edhe të japë kontribut konkret në këtë histori, çka nuk e ka arritur Profesor Doktor Zekeria, pavarësisht mjekrrës së njohur të “dijeve”, fituar në zyrat e pushetit të kohës.

Ismet Sylejmani, ndryshe Ilir Hasani, me replikën dërrmuese ndaj profesor Zekerisë, shkruar në vitin 1991, kur autori ishte tepër i ri, na verteton se të rinjtë revolucionarë të LPRK, prej ku dolën luftëtarët e lavdishëm të UÇK-së, e njihnin mjaft mirë Historinë e Popullit shqiptar, të LANÇ dhe të Shqiptarit të madh Enver Hoxha, njohuri e dije të cilat Ismeti me shokë i përforcuan në luftën e drejtpërdrejtë kundër pushtuesit, luftë e cila u kurorëzua me sukses në vitin e madh 1999.

Këtu mbyllet kapitulli për “profesorë-doktorët” e pushteteve, se në skenë kanë dalë e po veprojnë tashmë profesorët dhe doktorët e vërtetë të popullit, si Ismet Sylejmani me shokë, të cilët me Luftën Çlirimatre të vitit 1998-1999, dhe veprimtarinë atdhetare që kanë realizuar e po realizojnë në interes të Bashkimit Kombëtar, i kanë sfiduar plotësisht “professor-doktorët” lëpirës të pushteteve.

Gjej rastin ta përgëzoj, Ismet Sylejmanin, për afishimin e artikullit të tij të vitit 1991, një material i plotë e konçiz, qëmtuar me saktësi nga Historia e LANÇ dhe e ndërtimit Socialist në Shqipëri, me anë të të cilit ai dërmon keqas shkrimin djallëzor të prof. Dr. Zekeria Cana, i cili dijet e fituara në auditore dhe në jetë, në vend që t’i vinte në funksion të çështjes sonë Kombëtare, i ndyn me shpifje për dy nga epokat më të ndritura të shqiptarëve në shekullin e njëzet, LANÇ të Shqipërisë londineze dhe Luftën e UÇK-së për çlirimin e trojeve shqiptare nën sundimin e Ish Jugosllavisë, si dhe për denigrimin e figurës madhështore të Shqiptarit të Madh Enver Hoxha.

Për fat të keq, profesorë kësisoj, kemi edhe të tjerë midis nesh, që bashkojnë shpifjet me baltën e antishqiptarëve kundër historisë sonë të lavdishme, dhe veçanërisht kundër Enver Hoxhës, Udhëheqësit më të lavdishëm të kombit shqiptar. Por shpifja dhe balta e tyre e zezë, nuk mund të ngjiten në piedestalin e historisë dhe ne mermerin e kuq si gjaku, ku këto momente dhe këtë figurë madhore i ka ngjitur vepra në shërbim të çeshtjes Kombëtare.

 

31 Korrik 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë…