Hoti kërkon siguri dhe transparencë gjatë tërheqjes së mjeteve nga Trusti

12 gusht 2020 | 15:14

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, kanë zhvilluar të mërkurën një takim virtual me drejtuesit e Trustit, me të cilët kanë biseduar rreth ecurisë së përgatitjeve për realizimin e tërheqjes së 10-për qindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Sipas njoftimit të qeverisë, kryeministri Hoti ka kërkuar nga drejtuesit e Trustit që aspektet teknike dhe procedurat e tërheqjes së mjeteve të jenë të sigurta dhe transparente për qytetarët, të cilët dëshirojnë t’i tërheqin mjetet e tyre.

Ndërsa ministrja e Financave, Hykmete Bajrami është angazhuar që procesi të jetë i thjeshtë dhe pagesat të kryhen sa më shpejt, pas kalimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, kryeministri Hoti dhe ministrja Bajrami kanë zhvilluar një takim edhe me drejtuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, nga të cilët është kërkuar që ky institucion t’i mbështesë bizneset me rreth 40 milionë euro pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Kryeministri Hoti ka thënë se është koha të mbështeten të gjitha bizneset, sidomos ato të sektorit të bujqësisë dhe bizneseve prodhuese të orientuara në eksport. Qeveria e Kosovës do t’i mbulojë shpenzimet e administrimit të këtyre fondeve.

“Po ashtu, Qeveria do të bashkëpunojë me Bankën Qendrore të Kosovës, me bankat komerciale, me asociacionet e biznesit, odat e ekonomike etj., me qëllim që ky proces të sigurojë gjithëpërfshirje, transparencë dhe qasje më të lehtë dhe me kosto me të ulët të bizneseve në këto kredi. Këto nisma dhe instrumente financiare të propozuara dhe të mbështetura nga Qeveria e Kosovës janë ndërmarrë me qëllim që qytetarëve dhe bizneseve t’u krijohet mundësia e qasjes në burimet financiare për tejkalimin e gjendjes ekonomike të krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Llapit po vazhdon përforcimet për kampionatin e ri…