Hoti: Platforma shtetërore për dialog, e varfër në përmbajtje

20 prill 2018 | 12:11

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke folur për Raportin e Progresit ka thënë se koalicioni qeverisës nuk ka arritur të adresojë çështjet me rëndësi të lidhura me progresin e Kosovës drejt BE-së dhe as të krijojë konsensus politik për çështjet me rëndësi nacional.

“Përpjekja për shfuqizimin e Ligjit për dhomat e specializuara ka ngritur shqetësime serioze në Bruksel për gatishmërinë e shtetit të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare. Kosova nuk po bën progres në zbatimin e MSA-së”, ka deklaruar Hoti në konferencën javore të grupit parlamentar të LDK-së.

Ai ka theksuar nevojën e krijimit të një konsensusi nacional në mënyrë që të adresohen sfidat e ngritura në raport.

Hoti ka folur edhe për platformën e re për dialog me Serbinë të miratuar dje në Qeveri duke thënë se ky dokument është i varfër në përmbajtje, pasi sipas tij, nuk definon as temat për diskutim, as parimet dhe as afatet kohore.

Ai ka shprehur pakënaqësinë lidhur me rolin që i jep kjo platformë presidentit në procesin e dialogut, duke theksuar se ky rol i atribuohet atij në mungesë të fuqisë së koalicionit qeverisës për të udhëhequr proceset madhore të vendit.

“LDK-ja do të analizojë në ditët në vijim këtë platformë dhe në konsultim me strukturat e veta dhe grupin parlamentar do të marrë vendim”, është shprehur Hoti.

Ai ka paralajmëruar se tryeza e partive politike pritet të mbahet të mërkurën.

Hoti ka treguar se kjo tryezë ku do të përfshihen të gjitha partitë politike në vende është e domosdoshme duke pas parasysh krizën institucionale dhe politike që po kalon vendi, humbjen e shumicës parlamentare, mosfunksionimin normal të Kuvendit si dhe dështimin e funksionimit ligjor dhe kushtetues të institucioneve.

Sipas tij, kjo tryezë do të fokusohet në dy çështjet themelore.

“Mënyra se si të adresohen çështjet madhore për vendin, siç janë dialogu me Serbinë, reformat për integrim në BE, në të cilat çështje nuk duhet të ketë rivalitet politik, tash dhe në të ardhmen, gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë qeverisjes së ardhshme si dhe përgatitjet e nevojshme teknike për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike për të nxjerrë një qeveri stabile dhe të përgjegjshme janë temat e kësaj tryeze”, ka deklaruar Hoti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një komunikate…