Hoti takohet me përfaqësuesit e FMN-së: Kriza shkaktoi tronditje në jetën e qytetarëve

31 korrik 2023 | 17:08

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti është takuar të hënën me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Hoti ka shkruar në “Facebook” se kanë diskutuar në detaje për situatën ekonomike në vend.

“Vitin e kaluar Kosova ka përjetuar krizën më të madhe të dekadës së fundit, të shkaktuar nga inflacioni i lartë dhe kriza energjetike. Kjo krizë ka shkaktuar një tronditje në jetën e qytetarëve dhe në kostot e bizneseve. Delegacionit të FMN-së ia prezantova qëndrimin tonë lidhur me zhvillimet ekonomike aktuale dhe të pritshme. Shpreha shqetësimin tonë si parti e djathtë, që mbështet konkurrencën e lirë dhe biznesin privat, për përkeqësimin e strukturës së buxhetit shtetëror, konkretisht për rënien e investimeve kapitale nga 23 për qind në 15 për qind të buxhetit, si dhe për rritjen e shpenzimeve për subvencione dhe transfere nga 32 për qind në 42 për qind të buxhetit”.

“Një strukturë e tillë e buxhetit nuk e ndihmon ekonominë të përballet me sfidat nëpër të cilat po kalojmë. Shpreha shqetësimin për vonesat në emërimin e Guvernatorit të Bankës Qendrore, Bordit të Trustit Pensional, Komisionin për Ndihmë Shtetërore dhe trupave të tjerë shtetërorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e ekonomisë”, ka shkruar Hoti, duke shtuar se “institucionet tona duhet të bashkëpunojnë ngushtë me FMN-në”.

“Reformat kryesore ekonomike duhet të diskutohen gjerësisht me FMN-në dhe misionin që mbulon Kosovën. Përvoja e tyre është globale dhe, rrjedhimisht, shumë e vlefshme për vendimmarrjen e institucioneve të Kosovës. I falënderova për angazhimin e tyre gjatë viteve. LDK-ja do të jetë konstruktive në të mirën e qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësues…