Kurti: Niveli i inflacionit ka rënë dukshëm, në vetëm 2.8% në muajin qershor

31 korrik 2023 | 17:08

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje ekipit si dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e frytshëm.

Projektet e përbashkëta me FMN-në ishin në fokus të diskutimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës u vlerësua për zhvillimin ekonomik në dy vitet e fundit. U theksua se të hyrat buxhetore janë rritur rreth 15% ndërkaq niveli i inflacionit ka rënë dukshëm, në vetëm 2.8% në muajin qershor”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Më tej në njoftim është theksuar se kryeministri nënvizoi se sipas të dhënave të ATK-së, për herë të parë ekonomia jonë ka mbi 400,000 pozicione të regjistruara të fuqisë punëtore aktive.

“Duke shërbyer kështu si dëshmi e suksesit të politikave tona të punës dhe ekonomike që kanë ndihmuar gratë, njerëzit me aftësi të kufizuara, sipërmarrësit dhe të tjerët të jenë pjesëmarrës të suksesshëm në fuqinë punëtore. Përfaqësuesit e FMN-së thanë se duke pas parasysh këto të dhëna dhe zhvillime, Kosova ka një të ardhme të ndritur përpara. Ata gjithashtu u shprehën falënderues për bashkëpunimin e mirë ndërmjet FMN-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Delegacioni nga FMN-ja kryesohej nga zëvendësdrejtori i Departamentit për Evropë të FMN-së, Mark Horton.

Ai shoqërohej nga drejtuesi i misionit të FMN-së në Kosovë, Gabriel di Bella dhe ekipet e tyre përkatëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Tiranës ka reaguar pas arrestimit të ish-anëtarit të…