Houstoni e mposhti me rezultat të ngushtë San Antonion

15 janar 2021 | 14:20

Houston Rockets lë pas momentin negativ në NBA prej dy humbjesh radhazi dhe rikthehet te fitorja në një ndeshje që ka vlerë dyfish edhe për tifozët e skuadrës nga “Toyota Center”.

Rockets triumfuan në derbin teksan ndaj San Antonio Spurs me rezultatin e ngushtë 109-105 brenda në “AT&T Center”. Pa James Harden i cili një ditë më parë braktisi Houstonin për t’u transferuar zyrtarisht te Brooklyn Nets, skuadra e trajnerit Silas u mbështet fuqishëm te loja e mirë e Wood i cili e mbylli ndeshjen me 27 pikë dhe 15 rebound. Te vendasit e San Antonios spikati Johnson me 29 pikë.

Tjetër humbje për Golden State Warriors që u mposht në Colorado nga Denver Nuggets me rezultatin 114-104. Paraqitjen e shkëlqyer te Stephen Curry me 35 pikë 11 rebound dhe 4 asistime e bëri të pavlefshme serbi i Denverit, Nikola Jokiq i cili mori duartrokitjet e “Pepsi Center” për një tjetër triple-double që i shtoi karrierës së tij. Me 23 pikë, 14 topa të kontrolluar poshtë tabelës dhe 10 pasime deçizive, Jokiq udhëhoqi Nuggets drejt fitores së gjashtë sezonale. Mori fitoren e 3-të sezonale Toronto Raptors që mposhti në parketin asnjanës Amalie Center Charlotte Hornets me rezultatin e ngushtë 111-108.

Kanadezi Boucher ishte më i miri mbi parket për skuadrën kanadeze me 25 pikë 10 rebound dhe 2 asistime.

Paraqitje shumë e dobët e Portland Trail Blazzers që pas 4 fitoresh rresht u mposht në shtëpi nga Indiana Pacers me rezultatin 87-111. Për skuadrën nga Indianapolis Brogdon dhe Sabonis realizuan në total 48 pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Republikës së Kosovës, ka mbajtur mbledhje elektronike, ku…