Hovenier: Të nisin urgjentisht negociatat për Asociacionin

10 nëntor 2022 | 10:18

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Duhet të ketë në tryezë një propozim për Asociacionin”, tha Hovenier, duke theksuar se ai nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në një takim me gazetarët në ndërtesën e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Hovenier po ashtu i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Për më tepër, tha ai, Qeveria e Kosovës nuk duhet të nisë me gjobitjen e shoferëve që ngasin makina me targa të tilla.

Hovenier tha se e ka kërkuar një gjë të tillë direkt nga Qeveria.

I pyetur nëse ajo u është përgjigjur kërkesave të tij, Hovenier tha:

“Mendoj se ju e dini, ashtu sikurse unë, se si po u përgjigjet Qeveria kërkesave aktualisht. Por, unë jam diplomat, dhe kjo do të thotë se unë gjithmonë kërkoj rrugë pozitive përpara. Më duhet të besoj se mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara, që është në interes të të gjithëve dhe në interes të paqes dhe sigurisë”.

Ai tha se ka pasur kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës, por shtoi se “nuk mund të konfirmoj se Qeveria ka ndërmarrë veprimet që ia kemi kërkuar”.

Hovenier theksoi se nga këndvështrimi i SHBA-së, Qeveria e Kosovës ka të drejtë në zbatimin e planit të saj, por, sipas tij, ekzistojnë “shqetësime reale për mënyrën e zbatimit”.

Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë zbatimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është shtyrë sërish seanca në Gjykatën e Apelit ku pritej…