PDK-ja synon miratimin e nismës së re për Specialen në dhjetor, LV-ja pret draftin, Aleanca premton votën

29 nëntor 2026 | 13:12

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se drafti i nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara është gati, bashkë me nënshkrimet e deputetëve. Synimi i kësaj partie është që projektligji të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje (LV) pret që drafti i ri të jetë i zbatueshëm dhe të ketë dakordimin e të gjitha palëve, ndërsa Aleanca ka konfirmuar se do ta mbështesë nismën, duke kërkuar miratimin e saj para pushimeve.

Në një përgjigje me shkrim për “Kosovapress”-in, PDK-ja ka bërë të ditur se nisma do të dorëzohet së shpejti në Kuvend, pa specifikuar një datë të saktë.

“Drafti i nismës së re ligjore për Dhomat e Specializuara është gati dhe nënshkrimet e deputetëve janë mbledhur. Nisma do të dorëzohet së shpejti në Kuvend. Synimi ynë është që projektligji të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor. Me këtë nismë kërkojmë garanci për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, për respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe për mbikëqyrje institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit. E mirëpresim gatishmërinë e Bashkimit Evropian për konsultime. Tashmë i kemi bërë ftesë zyrtare dhe publike për t’i nisur ato. Jemi të gatshëm të ulemi menjëherë me përfaqësuesit e BE-së për të diskutuar çdo shqetësim konkret dhe çdo rekomandim juridik. Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka nisur takimet edhe me drejtuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, akademikë dhe diplomatë të huaj. Mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut i PDK-së”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar se pret që projektligji i ri të jetë i zbatueshëm dhe të adresojë atë që ajo e ka cilësuar si padrejtësi ndaj Kosovës me krijimin e Dhomave të Specializuara. Ajo ka shtuar se mbetet të shihet nëse PDK-ja i ka adresuar të gjitha çështjet për të cilat ishte kërkuar tërheqja e nismës paraprake.

“Presim që të jetë një projektligj i cili jo vetëm që do të dakordohet me të gjitha palët, por mbi të gjitha do të jetë një projektligj i zbatueshëm dhe që do të arrijë efektin e tij në adresimin e padrejtësisë që është bërë ndaj Kosovës me krijimin e Dhomave të Specializuara. Unë besoj që, pavarësisht qëllimeve të mira që i ka pasur kur ka iniciuar këtë projektligj, nxitimi për ta miratuar atë ose arsye të tjera, të cilat nuk mund t’i paraqes, kanë sjellë në situatën në të cilën jemi, kur vetë ligji i iniciuar nga PDK-ja u kërkua nga ajo të tërhiqej. Shpresoj që ata i kanë adresuar të gjitha çështjet për të cilat kanë vlerësuar se duhet të korrigjohen. Kjo është një çështje që do ta shohim kur ta kemi ligjin këtu”, ka thënë Nagavci.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Bekë Berisha, ka konfirmuar se kjo parti ka marrë vendim për ta votuar projektligjin. Ai ka kërkuar që nisma të procedohet sa më shpejt dhe që miratimi i saj të mos shtyhet për pas pushimeve.

“Ligjin kanë për ta bërë ekspertët. Nuk jam shumë i informuar, mirëpo, pavarësisht se si do të trajtohen çështjet dhe çfarëdo ligji që të vijë, nëse është në të mirën e kësaj çështjeje dhe të njerëzve që janë atje në Hagë, ne si parti kemi vendosur që ta votojmë, edhe si grup parlamentar. Është hile nëse lihet miratimi i këtij ligji apo nuk veprohet deri pas pushimeve. Ky duhet të bëhet sa më shpejt. Ne presim që ligji të vijë para pushimeve dhe të vendosim për ta përfunduar këtë çështje. Ne, çfarëdo versioni të ligjit që të na vijë, qoftë ai i mëparshmi, qoftë ky i riu, pavarësisht nëse i bën mirë apo keq, ne do ta votojmë”, ka thënë Berisha.

Ndërkohë, nga Qeveria e Kosovës, deri në publikimin e këtij artikulli, KosovaPress-i nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Nisma e re ligjore vjen në kohën kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po kalon në fazën e apelit.

Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin, me 18 vjet burgim, ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me nga 25 vjet burgim, ndërsa ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një veturë është rrokullisur dhe ka përfunduar në greminë, poshtë…