Hovenier: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit rrit shkallën e sigurisë së Kosovës

12 tetor 2023 | 21:31

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një nga mënyrat për të rritur sigurinë e Kosovës, të cilën e cilësoi të brishtë pas ngjarjeve të 24 shtatorit.

Ambasadori Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa pasi të vërtetohet se kush qëndron prapa atij sulmi që u krye nga individë të cilët kishin armë që nuk mund të blihen në tregun lokal por duhet një formë strukture shtetërore që t’i ofrojë ato.

Ambasadori Hovenier, ritheksoi kërkesën që Serbia të bashkëpunojë për ndriçimin e plotë të ngjarjeve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

“Situata e sigurisë mbetet diçka për të cilën jemi shumë të shqetësuar dhe Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë ndërmarrë hapa sepse ne ishim thellësisht të shqetësuar për atë që ndodhi në Banjskë dhe më gjerësisht për situatën e sigurisë në veri. Siç mund ta keni dëgjuar dje gjatë ndërrimit të komandës së KFOR-it, admirali Munch, komandanti i Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, bëri të ditur se nga 24 shtatori, NATO-ja ka trefishuar numrin e patrullimeve. Këshilli i Atlantikut të Veriut mori vendim për të rritur ndjeshëm numrin e forcave të KFOR-it. Ne e marrim këtë seriozisht. Situatën aktuale do ta karakterizoja si të brishtë, por të qetë apo më të qetë. Por ju e dini, ka një brishtësi dhe ne jemi shumë të përqendruar për të ndihmuar menaxhuar situatën dhe të përpiqemi të shmangim incidente të tjera që mund të çojnë në dhunë e që do të ndikonin, do të kërcënonin popullsinë civile atje, por edhe forcat e ligjshme të sigurisë atje, policinë e Kosovës dhe sigurisht edhe praninë ndërkombëtare”, ka pohuar Hovenier.

https://www.zeriamerikes.com/a/7307998.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Opinionisti Imer Mushkolaj ka theksuar se Albin Kurti sonte do…