Hoxha: Vizat do të hiqen brenda këtij viti

30 prill 2018 | 16:01

Gjatë kësaj jave pritet që në Kosovë të vijë një delegacion i Bashkimit Evropian, i cili do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.

Kështu ka bërë me dije  për gazetën “Zëri”, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila ka thënë se vizita do të realizohet nga 3 deri  më 5 maj.

Me këtë rast, Hoxha ka bërë me dije se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështje.

“Delegacioni vlerësues i BE-së do të jetë në Kosovë javën e ardhshme, nga data 3-5 maj. Ata kanë paraparë një agjendë të ngjeshur takimesh me të gjitha institucionet, ku puna e tyre ndërlidhet me zbatimin e kriterit të rasteve të shenjëzuara, ndryshe të njohur edhe si ‘Track Record’, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ministria e Integrimit ka bërë koordinimin e agjendës me misionin nga BE-ja dhe institucionet tona”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha është shprehur optimiste se brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.

“Duke u bazuar në dinamikën e procesit të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së dhe nga proceset e liberalizimit të vizave që kanë kaluar vendet e rajonit, unë pres që qytetarët tanë të lëvizin të lirë deri në fund të këtij viti. Ne kemi plotësuar 95 kriteret për këtë proces, është bërë punë e madhe dhe me të drejtë presim që izolimi i qytetarëve tanë të marrë fund deri në fund të këtij viti, pra ata të lëvizin të lirë”, është shprehur ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
15 vjet më parë kur Patriarku Kiril kishte shkuar në…