Hoxhaj premton 500 milionë euro ndihmë direkte për bizneset

25 janar 17:10

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, ka vizituar të hënën bizneset në Komunën e Suharekës, ku ka prezantuar Planin e rimëkëmbjes ekonomike.

Gjatë vizitave në mobilierinë “Graniti”, fabrikën për përpunimin e pijeve freskuese “Burimi-AG” dhe fabrikën e materialit ndërtimor “Intertras-Coop”, Hoxhaj ka thënë se Plani i “Rimëkëmbjes” do t’i adresojë të gjitha problemet me të cilat po përballen bizneset në vend, si pasojë e pandemisë Covid-19.

Ai ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës i sheh bizneset si partnerë dhe në Planin e Rimëkëmbjes parashihet themelimi i fondit prej 500 milionë eurove për ndihmë direkte për të gjitha bizneset dhe punëtorët e prekur nga pandemia, si dhe do të krijohen lehtësira të mëdha për ato biznese që planifikojnë të investojnë dhe hapin vende të reja të punës, duke eliminuar periudhën kohore dhe shumën e mjeteve të TVSh-së për rimburësim.

Hoxhaj ka thënë se gjatë mandatit të tij si kryeministër paga minimale do të rritet nga 170 në 300 euro.

“Sot kam vizituar tri kompani të ndryshme në Therandë, të cilat prodhojnë produkte të ndryshme për treg të brendshëm dhe për treg evropian. Pandemia i ka goditur këto kompani në Therandë, por edhe në nivel të vendit. Ne duam që të krijojmë një fond, i cili përmes granteve në vlerë prej 500 milionë euro do t’i mbështesë shumë biznese në Kosovë, me qëllim që ta tejkalojnë pandeminë dhe të ofrojmë lehtësira të mirëfillta fiskale për gjithë sektorin privat, meqë sektorin privat e shohim si partner të rritjes ekonomike, të krijimit të vendeve të reja të punës. Do ta ulim tatimin në të ardhurat për korporata nga 8 në 7, 5 dhe 0 për qind, varësisht nga përmasa e korporatës. Në krahasim me partitë tjera politike, të cilat nuk kanë ide, nuk ofrojnë program dhe ofrojnë një qasje, e cila i ngjanë më shumë komunizmit, Partia Demokratike e Kosovës ka një plan konkret sesi ta rimëkëmbë vendin në planin ekonomik. Po ashtu, pjesë e këtij plani është edhe rritja e pagës minimale nga 170 euro në 300 euro”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka vizituar ndërmarrjen…