Fatmir Krasniqi dhe “Armagedoni” dhurojnë libra për shkollën “Jusuf Gërvalla”
Afaristi nga Negrovci i Drenasit, me punë dhe banim në Charleroi të Belgjikës, Fatmir Krasniqi, i biri i veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Krasniqi, së bashku me shtëpinë botuese “Armagedoni”, kanë bërë sot një donacion me libra në vlerë prej 750.00 eurosh në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Jusuf Gërvalla” në fshatin Negrovc.
Librat i pranuan drejtori i shkollës, Fehmi Krasniqi dhe ish-drejtori i kësaj shkolle, mësuesi Halim Krasniqi, vëlla i veprimtarit Jakup Krasniqi, të cilët i falënderuan donatorët për librat.
Ata thanë se kjo shkollë i ka rreth dyqind nxënës, kryesisht të shkëlqyeshëm, të cilëve këto libra të dhuruara sot shkollës, do t’u shërbejnë nxënësve dhe arsimtarëve, por edhe lexuesve të tjerë të interesuar.
Librat ishin të zhanreve të ndryshme, kryesisht romane, poezi, kritikë letrare, studime, publicistikë.
Drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj, tha se, ashtu sikurse në vitet e kaluara, edhe sivjet, në bashkëpunim me donatorë, do t’i furnizojnë shkollat e komunave të ndryshme të Kosovës me libra të rinj të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Ndërkaq donatori Fatmir Krasniqi tha se edhe në vitet e ardhshme do të financojë projekte të tilla për bibliotekat e shkollave publike.